22:07 / E Martë, 03 Gusht 2021 / OSH

“Beerfest” këtë vit vjen me kauzë ndaj ndryshimeve klimatike

Sonte “Klanobusi” ka filluar rrugëtimin e tij në sheshin “Skënderbeu” të kryeqytetit.

Leart Zeqa, organizator i festivalit “BeerFest”,  ka qenë një nga mysafirët e parë ku ka folur për vitin jubilar të festivalit “Beerfest”.

“Pas dy vjetëve të vështira për të gjithë ne, po rikthehemi për 10 vjetorin e festivalit pasi ka lehtësime nga Ministria e Shëndetësisë. Po e planifikojmë që ta mbajmë në datat 20-21-22 gusht dhe do të rikthehemi në pikën ku kemi filluar, në platon e Pallatit të Rinisë”.

Ai ka treguar që ky festival ka filluar si lloj panairi për degustim të birrave e pastaj është inkuadruar edhe skena muzikore. Gjithashtu, ai ka ndarë me shikuesit se çfarë risie do të ketë te festivali i birrës.

“Do të promovohen birra të reja nga prodhues të ri. Këtë vit do të ketë birra zero dhe birra me shije ekzotike”.

Zeqa ka shtuar se këtë vit do të ketë vetëdijesim për gjëra që i prekin të gjithë.

“Kemi kauzë për ndryshimet klimatike ku do ta përdorim qëndrueshmërinë dhe do ta riciklojmë plastikën, qelqin dhe ushqimin me disa organizata joqeveritare”.

Ai ka ftuar publikun ta përcjellin festivalin në rrjete sociale edhe risitë e tjera.