15:35 / E Enjte, 13 Korrik 2023 / LB

Befasi e dorës së parë, skuadra e madhe shqiptare e largon kapitenin

Futbolli shqiptar prodhon çudinë e parë, ende pa nisur mirë sezoni i ri. Partizani prishi kontratën, as më shumë e as më pak, por me kapitenin. Bruno Telushi nuk do të jetë më pjesë e të kuqve, edhe pse pak ditë më parë rinovoi kontratën për një tjetër edicion.

Vendimi i papritur u njoftua nga Demat, që nëpërmjet faqeve zyrtare në rrjetet sociale theksonin se “mesfushori dhe klubi kanë vendosur të ndërpresin me mirëkuptim kontratën mes tyre”.

Në deklaratën formale, si ndodh shpesh në raste të tilla, skuadra e falënderoi 32-vjeçarin për kontributin e dhënë dhe i uroi suksese në karrierë. Por, ajo që nuk thuhet dhe sipas spekulimeve, shkak për largimin e Telushit ishin pakënaqësitë me trajnerin Zekiç. Tekniku i ri nuk e cilësonte vlonjatin si titullar, pavarësisht pretendimeve të lojtarit se për eksperiencën dhe kualitetin meriton të jetë në formacion.

Kjo u pa në ndeshjen e parë ndaj BATE Borisov, ku Telushi u la në stol. Ai u parakalua në mesfushë nga Mehmeti, teksa në qendër të mbrojtjes, një pozicion të cilin e mbuloi në sezonin e titullit kampion, u aktivizua Saliou.

Në sfidën e barazuar 1-1 përballë kampionëve të Bjellorusisë, Bruno Telushi u aktivizua vetëm në 4 minutat e fundit të lojës. Pas pakënaqësive të lojtarit për zgjedhjen e trajnerit Zekiç përdori dorën e hekurt, duke shkaktuar largimin e parë të madh nga Demat.