20:53 / E Diele, 12 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Begaj i sigurt për fitoren në Malishevë, ditët në vazhdim vendimmarrëse për koalicion

Ka mbetur dhe një javë deri në mbajtjen e balotazhit dhe ka ende kandidatë për kryetar komunash që nuk dinë nëse do shkojnë me koalicion apo të vetëm në këto zgjedhje.

Një vendim të tillë ende nuk ka marr as kryetari i Malishevës, Ragip Begaj i cili njëherësh është kandidati i Nismës për Kosovën edhe për një mandat në këtë komunë.

Begaj i cili do përballet në balotazh me kundër-kandidatin e tij nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Mursel Gashin në një prononcim për Indeksonline ka thënë se mbetet që në ditët në vazhdim të vendos nëse ai do bëjë ndonjë koalicion apo jo.

“Jemi duke u menduar dhe ende nuk kemi bërë ndonjë ofertë. Bisedime po zhvillojmë, por deri nuk bëhen publike nuk dua të them asgjë. Brenda pak dite mund të bëhen publike por tani ende nuk kemi asgjë konkrete”, ka thënë Begaj.

Ndërsa, përballjen në balotazh Begaj e sheh si një fitore të sigurt të tij.

“ Jemi me 3 mijë vota përpara, jemi bukur mirë përpara. Fitoren e kemi pak  a shumë të sigurt, nuk besoj që do të përmbyset rezultati dhe jemi të bindur se fituese në Malishevë do të jetë Nisma. Por sigurisht që mbetet të shihet në fund rezultati i qytetarëve”, ka shtuar ai.

Ndryshe, zgjedhjet e balotazhit do të mbahen me 19 nëntor, ndërsa fushata zgjedhore pritet të fillojë që nga dita e nesërme, ku të gjithë kandidatët për kryetar komunash të cilët po përballen me balotazh do të kenë edhe pesë ditë kohë për të fituar besimin e qytetarëve./Indeksonline/