Begaj pret në një takim Haxhiun, ia rikonfirmon angazhimin për rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur sot në një takim ministren e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiun.
Gjatë takimit, Begaj ka përshëndetur nismat dhe reformat e reja të ndërmarra nga qeveria e Kosovës, veçanërisht në fushën e drejtësisë si edhe përkushtimin për përputhshmërinë me politikat evroatlantike.
“Është një proces i gjatë dhe aspak i lehtë, – u shpreh presidenti i republikës, duke theksuar se kryerja e reformave në interes të qytetarëve përmbush ëndrrën tonë si komb, atë të integrimit në Bashkimin Evropian”.
Në takim u theksua bashkëpunimi i shkëlqyer midis institucioneve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës.
Begaj shprehu edhe rëndësinë e avancimit të këtij bashkëpunimi në projektet strategjike të Portit të Durrësit, Portit të Thatë të Prishtinës dhe lidhjen e tyre me hekurudhën Durrës- Prishtinë që do të na ndërlidhin më shumë.
Kreu i shtetit shqiptar nënvizoi se bashkëpunimi midis shqiptarëve ka një rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën euroatlantike të dy vendeve dhe gjithë rajonit si qëllim strategjik./Indeksonline/