Homazhe te kompleksi memorial, “Adem Jashari”
Me rastin e 30 dhjetorit- Ditës së Veteranëve dhe sulmit të parë ndaj familjes Jashari, sot në Prekaz janë bërë homazhe te kompleksi memorial “Adem Jashari”.
Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, së bashku me një grup veteranësh bënë homazhe te varri i Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes së tij.
Ata së bashku nderuan familjen Jashari për mundin, sakrificën dhe luftën e bërë kundër okupatorit serb.
Jashari tha se 30 dhjetori i 28 vjetëve më parë ishte ditë e ftohtë, e cila u karakterizua me pjesëmarrje të madhe të forcave serbe në sulmin kundër familjes Jashari.
Kryetari i OVL së UÇK-së, Hysni Gucati, tha se në këtë ditë 28 vjet më parë u bë sulmi i parë ndaj familjes Jashari dhe sulmi i parë ndaj pjesëtarëve të UÇK-së. Ai tha se shkëndijat e para të lirisë janë në këtë vend.
Kujtojmë se sulmi i parë i forcave kriminale serbe ndaj familjes Jashari ndodhi, më 30 dhjetor 1991./