75 Mall Live Search
09:32 / E Enjte, 28 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Këtë 28 Nëntor, shqiptarët të bashkuar në një qëllim të vetëm!

107- vjetori i shpalljes së pavarësisë e gjen këtë herë Shqipërinë në një gjendje aspak për t’u dëshiruar.

Ngjarja tragjike që goditi Shqipërinë, bëri që të humbnin jetën e të lëndoheshin shumë njerëz, duke shkaktuar edhe dëme të mëdha në dy epiqendrat e tërmetit, në Durrës dhe në Thumanë.

Ky 28 Nëntor e gjen Shqipërinë përplot me dhimbje, ankth e varrime. Shumë aktivitete ishin parashikuar nga Qeveria dhe komunat, por ato janë anuluar për shkak të tragjedisë së ndodhur mëngjesin e së martës, teksa i vetmi aktivitet i cili parashihet të zhvillohet është ceremonia e ngritjes së flamurit.

Por pavarësisht se çdo 28 Nëntor shqiptarët mblidhen bashkë për të festuar, këtë herë shqiptarët anembanë botës janë më të bashkuar se kurrë, por për tjetër arsye.

Anembanë botës shqiptarët janë bërë bashkë prej dy ditësh që t’i dalin në ndihmë Shqipërisë, me çfarëdo të jetë e nevojshme, raporton Indeksonline.

Solidariteti për të ndihmuar viktimat dhe të prekurit e gjallë nga ky tërmet është duke vazhduar, deri në momentin kur Shqipërisë t’i kthehet normaliteti.

Ushqim, veshmbathje, strehim e mjete të shumta financiare janë dhënë nga shqiptarët për të prekurit nga tërmeti, gjë kjo e cila do të thotë shumë në një situatë para së cilës gjendet shteti shqiptarë.

Padyshim se kjo situatë e krijuar në Shqipëri nuk është imagjinuar nga askush, por fatkeqësitë e tilla tregojnë më mirë se kurrë se sa të bashkuar janë shqiptarët, se sa shumë do të thotë kombi shqiptar dhe sa e vlefshme është shqiptaria./Indeksonline/