75 Mall Live Search
21:41 / E Premte, 13 Qershor 2025 / MSH

Bëhet administrimi i provave në rastin ku Millosh Pleskoviq akuzohet për krime lufte në Prizren

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është bërë administrimi në rastin ku Millosh Pleskoviq akuzohet për krime të luftës në qytetin e Prizrenit.

Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Rrahman Beqiri, njoftoi lidhur me parashtresat e dërguara nga ana e mbrojtjes së të akuzuarit Pleskoviq, avokatja Jovana Filipoviq, në të cilën ka kërkuar nxjerrjen e disa dosjeve dhe shkresave nga institucionet përkatëse.

Gjatë kësaj seance avokatja Filipoviq propozoi që të administrohet si provë vërtetimi i lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes së Serbisë me të cilën, mbrojtja pretendon që të vërtetohet që nuk ka të dhëna për të mbrojturin e saj që i njëjti ka marrë pjesë në luftë.

Lidhur me këtë propozim, prokurori special, Ilir Morina e kundërshtoi pasi që sipas tij një provë e tillë nuk mund të vërtetohet.

“E kundërshtoj pranimin e kësaj prove dhe kërkoj nga gjykata që mos ta pranoj këtë provë për shkak se nuk është provë e cila mund të verifikohet. Në bazë të nenit 119 paragrafi 1, pika 1.30 kjo konsiderohet provë plotësisht e pambështetshme për shkak se nuk mund të verifikohet identiteti i kësaj shkrese”, tha Morina.

Po ashtu, avokatja Filipoviq kërkoi dorëzimin e dosjeve nga arkivi i Gjykatës dhe arkivi i Kosovës që ka të bëjë me të dëmtuarit B.D, N.D dhe F.B.

Këtë propozim, prokurori Morina e kundërshtoi, duke thënë që kjo kërkesë është e përsëritur dhe se të gjitha dosjet e siguruara janë në dosjen e lëndës.

Një propozim tjetër i bërë nga avokatja ishte edhe sigurimi i dosjes së hyrjes dhe daljes nga drejtoria kufitare e policisë, në të cilën do të vërtetohen hyrjet dhe daljet e të mbrojturit të saj nga Kosova.

Për këtë propozim, prokurori Morina tha që një gjë e tillë nuk kontestohet andaj të njëjtën edhe e kundërshtoi.

Tutje, avokatja me anë të një parashtrese ka kërkuar nxjerrjen e letërnjoftimit, ekstraktin e lindjes nga qendra e regjistrimit të qytetarëve, propozim ky i cili u kundërshtua nga ana e prokurorisë.

“Sa i përket identitetit, gjykata i ka dy letërnjoftime, një të Kosovës dhe një të Serbisë që janë siguruar nga ne në fazën e hetimeve”, tha Morina.

Në vazhdim, gjyqtari Beqiri njoftoi që lidhur me këto propozime gjykata ka marrë disa veprime procedurale, ashtu që nga Gjykata Themelore në Prizren si trashëgimtare e ish-Gjykatës së Qarkut ka siguruar një përgjigje e cila përgjigje përmes email thekson se “pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999 gjatë tërheqjes së forcave serbe nga territori i Kosovës, janë tërhequr edhe lëndët nga Gjykata e Qarkut në Prizren nga viti 1989 deri 1999”, njoftoi gjyqtari për përmbajtjen e email-it.

Tutje, gjyqtari Beqiri njoftoi se të njëjtën përgjigje kanë marrë edhe nga Prokuroria Themelore në Prizren si trashëgimtare e Prokurorisë së Qarkut e cila përgjigje theksonte se për sigurimin e shkresave të lëndës të ish-Prokurorisë së Qarkut në Prizren, të njëjtit nuk kishin mundur që të siguronin asnjë informatë e as shkresat e lëndës.

Po ashtu, gjyqtari Beqiri tha se ka komunikuar edhe me Arkivin e Kosovës i cili institucion, ju ishte përgjigjur se nuk posedojnë dokumentacion të Gjykatës së Qarkut në Prizren.

“Gjykata ka komunikuar edhe me Arkivin e Kosovës i cili institucion, përmes email thekson “Ju njoftojmë… se Arkivi Qendror, pranë Agjencisë Shtetërore të Arkivës së Kosovës nuk posedon dokumentacion të Gjykatës së Qarkut në Prizren për periudhën 1998”, tha gjyqtari.

Tutje, lidhur me propozimin për hyrjet dhe daljet e të akuzuarit, gjyqtari Beqiri njoftoi që nga drejtoria e policisë kufitare, kanë pranuar përgjigje e cila thekson se në sistemin e menaxhuar të kufirit nuk ishin gjetur të dhëna për të akuzuarin, as me datëlindje e as me numër personal të tij.

Gjatë kësaj seance u bë administrimi i provave të lëndës, për të cilat avokatja Filipoviq i kundërshtoj në cilësi të mbrojtjes.

Lidhur me propozimin e provave materiale nga Prokuroria, Gjykata nxori aktvendim, me të cilin konsiderohoj të administruara provat e propozuara nga Prokuroria Speciale.

Ndërsa, shpalli prova të papranueshme provat e listuara nga shkronja A deri te shkronja E, respektivisht, procesverbalet mbi identifikimin e personit nga B.K dhe i njëjti procesverbal nga B.B, I.B, M.D, pasi që sipas gjykatës të njejtit nuk kanë qenë prezent në vendin ku ka ndodhur ngjarja.

“Shpallen të papranueshme provat…kjo duke u bazuar në nenin 116, paragrafi 1, duke qenë se identifikimi i të pandehurit është bërë në kundërshtim me këtë dispozitë ligjore dhe rregullat e përgjithshme mbi identifikim, duke qenë se nga dëshmitë e këtyre dëshmitarëve të dëgjuar në gjykatë rezulton se asnjë nga këta dëshmitarë nuk kanë qenë të pranishëm në vendin ku ka ndodhur ngjarja, nuk kanë theksuar se e kanë parë të pandehurin dhe si rrjedhojë edhe çfarëdo identifikimi për një person për të cilin nuk e kanë parë por vetëm kanë dëgjuar për të, nuk i plotëson kriteret e nenit 116 të KPP-së”, tha gjyqtari Beqiri.

Lidhur me propozimet e mbrojtjes të theksuara në hyrje të këtij shqyrtimi dhe pas deklarimit edhe të Prokurorit, trupi gjykues nxjerr aktvendim me të cilin refuzoi propozimet e mbrojtjes për nxjerrjen e provave të reja të përmbledhura si në vijim: për t’u kërkuar nga arkivi i ish-gjykatës, prokurorisë, arkivit shtetëror dhe drejtorisë së policisë kufitare për hyrje dhe dalje për të mbrojturin e saj nga territori i Kosovës, kjo për faktin se nga komunikimi që e ka pasur me këto institucione rezulton se nxjerrja e këtyre provave është e pamundshme dhe e paarritshme, ngase këto institucione kanë deklaruar se nuk posedojnë të dhëna të tilla.

Ndërkaq, u aprovua propozimi i avokates në raport me kërkesën për sigurimin e të dhënave nga Drejtoria e Policisë Kufitare, ashtu që në cilësi të provës materiale të lexohet përgjigjja e siguruar nga Drejtoria e Policisë Kufitare, konkretisht përgjigjja e rreshter Besim Mehmeti.

Tutje, lidhur me propozimin për sigurimin e dokumnetacionit indetifikues, trupi gjykues nxorri aktvendim refuzues, mbi arsyen se të njejtat nuk provojnë asgjë element të veprës penale.

“Refuzohet propozimi për sigurimin e të dhënave nga Qendra e Regjistrimit Civil, për të siguruar certifikatën e lindjes, kopjen e letërnjoftimit, ekstraktin e lindjes për të pandehurin Millosh Plevqi, kjo duke u bazuar në nenin 253, paragrafi 1 të KPP-së, ngase kjo provë nuk ka të bëjë me të provuarit e asnjë elementi të veprës penale”, shtoi gjyqtari Beqiri.

Si dhe trupi gjykues refuzohoj propozimin e mbrojtjes të parashtruar sot në seancë për të administruar si provë vërtetimin e siguruar nga MPB e Serbisë.

“Refuzohet propozimin i mbrojtjes së bërë gjatë seancës së sotme lidhur me adminsitrimin si provë, vërtetimin e e siguruar nga MPB e Serbisë, pasi që e njëjta është provë e pambështetshme, sepse origjina e kësaj prove është e panjohur dhe gjykata e ka të pamundur që ta verifikojë origjinalitetin e saj”, tha Beqiri.

Me këtë edhe u përfundua faza e adminsitrimit të provave, për të vazhduar në seancën tjetër me mbrojtjen e të akuzuarit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e ngritur më 7 qershor 2024, thuhet se Millosh Pleskoviq gjatë vitit 1998-’99  në Prizren, në bashkëkryerje me person tjerë, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civilë, duke kryer vrasjen e viktimave.

Sipas aktakuzës, Pleskoviq duke funksionuar si grup i armatosur me 7-8 persona të nacionalitetit serb, më 1 shtator 1998 në Prizren derisa ishin duke shkuar për në malin e tyre viktimat R.D., B.D., F.B., së bashku me të dëmtuarit Fevzi Cana, Xhenger Cana dhe Bashkim Kastrati, fillimisht janë ndalë papritmas nga grupi i armatosur serb, të cilët më pas janë fyer me fjalë serbe, e që në mesin e atij grupi të armatosur serb ishte parë edhe i akuzuari Pleskoviq.

Në një moment, sipas aktakuzës thuhet se Pleskoviq kishte filluar të gjuajë me armë të tipit “Kallashnikov”, ku nga të shtënat në vendin e ngjarjes kishin mbetur të vrarë R.D., B.D., dhe F.B., kurse të dëmtuarit Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati kishin shpëtuar.

Tutje, në aktakuzë thuhet se familjarëve të të ndjerëve u ishte lejuar që t’i marrin trupat e tyre pas një jave nga vrasja, ku thuhet se trupat e R., dhe B.D., ishin vendosur mbi njëri-tjetrin, kurse njëri nga ta e kishte këmbën e prerë, ndërkaq viktima F., nuk e kishte kokën në trup.

Andaj, për këto veprime Pleskoviq po ngarkohet për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile” e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë si ligj në fuqi në kohë e kryerjes së veprës penale./BetimipërDrejtësi