Bëhet virale videoja e Stenaldos në veturë, nëna e tij reagon publikisht
Prej pak ditësh në rrjetet sociale ka qarkulluar një video e Stenaldos, i cili shfaqet duke i dhënë makinës. Në video dëgjohet edhe zëri i dikujt tjetër, teksa e udhëzon se si të lëvizë. Pamjet ngjallën shumë kureshtje dhe videoja u bë menjëherë virale.
Ndër komentuesit që zgjodhën të thonin diçka mbi videon, pati nga ata që reaguan të shqetësuar dhe të habitur se si një person i verbër po i jepte makinës. Të tjerë e mirëkuptuan këtë veprim, por pati edhe nga ata që hamendësuan nëse ai kishte ndonjë përqindje shikimi. Vlen të sqarohet se, nisur nga pamjet, Stenaldo ndodhet nën shoqërinë e një personi i cili e udhëzon ku të kalojë. Në video, ai shfaqet duke i dhënë makinës me 50 km/orë, rruga ku ata janë duke kaluar është e drejtë dhe nuk duket të ketë asnjë këmbësor.

Mamaja e Stenaldos, Flutura Mëhilli, ishte e ftuar në “Fan Club” ditën e sotme dhe një ndër pyetjet që iu bë lidhej pikërisht me ato pamje. Ajo u shpreh se kishte qeshur kur e kishte parë atë video dhe se, për të, aty nuk kishte asgjë shqetësuese, pasi Stenaldo, sipas saj, është shumë i guximshëm.
“Jo se jam nëna e Stenaldos, por ka një kurajo të paparë. Ka një guxim që unë shpeshherë jam ndier shumë keq në kuptimin që, po tha që do ta bëjë e bën. Unë gjithmonë me pjesën e shikimit, se ‘Bobo do më vritet, bobo do ndodhë kjo gjë’. Makinës, motorit, biçikletës, të të tregoj video unë që kam, domethënë që biçikletës se si i jep ai ne habitemi. Ka një forcë të paparë.”

Ky ka qenë viti i parë në historinë e “Big Brother” në Shqipëri, ku pjesë e shtëpisë më të ndjekur në vend u bë një banor i verbër, duke shënuar një hap domethënës drejt përfshirjes dhe përfaqësimit në televizionin shqiptar. Stenaldo Mëhilli është bërë pjesë e lojës shumë pak pas fillimit të edicionit të pestë të “Big Brother VIP Albania”.

Ai ka qenë pjesë e Top Albania Radio si prezantues, ka marrë pjesë në konkurse muzikore si “The Voice of Albania 4”, si edhe në edicionin e fundit të “Top Fest” me këngën “Flas me Diellin”. Përveç angazhimit në muzikë dhe media, ai është i përfshirë edhe në çështje sociale dhe aktivitete vullnetare, duke bashkëpunuar me organizata që kanë në fokus përmirësimin e jetës së të tjerëve.

