12:00 / E Enjte, 14 Prill 2022 / AR

Bëhuni gati për të mësuar shumë më tepër rreth J.Lo

Jennifer Lopez zbuloi në Instagram projektin e fundit – një dokumentar për jetën e saj.

“Halftime” titullohet bashkëpunimi i ardhshëm me Netflix, referuar moshës së Jennifer, 52 vjeçe. “Halftime” do të lidhet edhe me te ardhmen e karrierës së saj si këngëtare, aktore dhe sipërmarrëse.

“Halftime” (Pjesa e parë) do të shfaqet premierë në Festivalin e Filmit Tribeca më 8 qershor dhe do të transmetohet në Netflix vetëm disa ditë më vonë, më 14 qershor. Lopez bëri publik lajmin së bashku me një foto të posterit zyrtar të dokumentarit.

“Është vetëm fillimi,” shkruan J.Lo në mbishkrim.

“’Halftime’ sjell një vështrim intim pas perdes duke zbuluar ashpërsinë dhe vendosmërinë që e bën Jennifer Lopez ikonën që ajo është, nga performancat në ekran dhe në skena anembanë botës, te performanca në Super Bowl, tek inaugurimi i fundit presidencial,” shkruhet në një njoftim zyrtar për projektin. “Dokumentari përqendrohet te një superyll ndërkombëtar që ka frymëzuar njerëzit për dekada me këmbënguljen, shkëlqimin krijues dhe kontributin e saj kulturor. Dhe është vetëm fillimi.”

“Halftime” duket se shërben si fillimi i gjysmës së dytë të jetës së Lopez, teksa ajo nxjerr në pah evolucionin e saj si latine, si nënë dhe si artiste.

Njoftimi për publikimin e dokumentarit vjen pak ditë pas një tjetër hapi të rëndësishëm në jetën e saj, fejesa (e dytë) me Ben Affleck.