08:00 / E Premte, 07 Gusht 2020 / indeksADMonline

Bejrut, tragjedia nxit protesta antiqeveritare

Pas shpërthimeve të së martës, në Bejrut tashmë kanë “shpërthyer” protestat antiqeveritare. Protestuesit që dolën rrugëve ku ende ka gjurmë të tragjedisë së kësaj jave u përleshën me forcat libaneze të sigurisë.

Oficerët përdorën gazin lotsjellës ndaj dhjetëra njerëz që u grumbulluan pranë parlamentit.

Demonstruesit janë të zemëruar nga shpërthimi shkatërrues i së martës, për të cilin zyrtarët thonë se u shkaktua nga 2,750 ton nitrat amoniumi të ruajtur në mënyrë të pa sigurtë që nga viti 2013.

Janë të shumtë në Liban që thonë se pakujdesia e qeverisë çoi në shpërthim, i cili vrau të paktën 137 njerëz dhe plagosi rreth 5000 të tjerë.

Që nga tragjedia dy zyrtarë kanë dhënë dorëheqjen. Deputeti Marwan Hamadeh u dorëhoq të mërkurën, ndërsa ambasadori i Libanit në Jordan, Tracy Chamoun dha dorëheqje të enjten, duke thënë se katastrofa tregoi nevojën për një ndryshim në udhëheqje.

Agjencia shtetërore e lajmeve thotë se 16 persona janë arrestuar si pjesë e një hetimi të shpallur nga qeveria këtë javë.

Një peticion për të vendosur Libanin nën kontrollin e Francës ka mbledhur më shumë se 50 mijë firma brenda 24 orëve. Presidenti francez Emmanuel Macron mbërriti në Bejrut gjatë së enjtes për të treguar mbështetjen e Francës për ish-koloninë e saj pas shpërthimit të fuqishëm e shkatërrimtar në Bejrut.

“Qëkur u largua Franca, vendi ka pësuar vetëm rënie, me luftë civile dhe krizë ekonomike, politike dhe kufitare”, tha një prej nënshkruesve të këtij peticioni për mediat.