16:46 / E Premte, 27 Shtator 2019 / indeksADMonline

Bejta: Angazhimin tim do ta bartë në Kuvendin e Kosovës

Pas dy vitesh si asambleiste e Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fiknete Bejta, në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit kërkon besimin e qytetarëve për t’i përfaqësuar ata dhe të jetë pjesë politikbërjes dhe vendimmarrjes në Kuvendin e Kosovës.

E renditur me numër 54 në listën e koalicionit AAK-PSD, Bejta është ligjëruese e ekonomisë, ndërsa për vite me radhë ka udhëhequr disa projekte inovative dhe start-upe që kishin për bazë zhvillimin e bizneseve të grave dhe të rinjve.

Në intervistën “Kandidatët”, ajo tha se për dy vite si pjesë e Asamblesë me përkushtim dhe vullnet ka shtyrë përpara projektet që kanë rrjedhur nga kërkesat e qytetarëve të Komunës së Prishtinës.

Në Kuvendin e Kosovës, Bejta u shpreh se do të jetë zëri i munguar i disa komuniteteve dhe kërkesave të cilat nuk janë adresuar deri me tash në parlament e që lidhen edhe me shëndetësinë, arsimin e infrastrukturën.

“Prania imë në Kuvendin e Kosovës mund të adresojë një zë të munguar të disa komuniteteve si komuniteti i të rinjve, ligjëruesve, i një pjesë të rajonit të Prishtinës ose 70% të rajonit të Prishtinës, pjesës së Gollakut që kanë munguar kërkesat e tyre të adresohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës për një kohë të gjatë”, u shpreh ajo.

Arsye për kandidimin e saj për deputete, Bejta tha se ka të bëjë me vullnetin e saj që të ofroj kontribut edhe në zhvillim të ekonomisë. Kjo do të ketë vëmendjen e saj të madhe, bashkë me çështje të tjera, në rast se ajo zgjidhet deputete.

Sipas saj, zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme mund të ndihmojë në uljen e numrit të papunëve e që rrjedhimisht Bejta thotë se do të ndalonte edhe disa fenomene negative si korrupsioni e nepotizmi.  

“Normal unë si ekonomiste do të jenë temat për ekonomi, do t’i trajtoj dhe do të kem vullnet më shumë, zhvillimin e ndërmarrësisë me fokus me zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme si mundësi për të ulur papunësinë, nëse kemi një ulje të papunësisë ose numri të të papunëve atëherë edhe mund të themi që me këtë veprim mund ta luftojmë edhe nepotizmin edhe korrupsionin që mund të themi që korrupsioni ndodhë edhe për shkak të mungesës së vendeve të punës sepse i jep mundësi ushtruesve të detyrave publike të korruptohen për vende pune, tendere etj.”, tha ndër të tjera ajo.