75 Mall Live Search
11:27 / E Shtunë, 04 Janar 2025 / A. M.

Bejta e LDK-së thotë se 9 shkurti është zgjedhje për fatin energjetik të Kosovës

Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta Bejta e LDK-së thotë se 9 shkurti është zgjedhje për fatin energjetik të Kosovës

Sipas saj, Kosova përballet me një kolaps energjetik që kërcënon jo vetëm ekonominë, por edhe sigurinë kombëtare.

Postimi:
Në këtë situatë të rënduar, qeveria nuk paraqet asnjë vizion dhe strategji të qartë për të ofruar një zgjidhje afatgjatë. Reduktimet e energjisë elektrike janë bërë të papërballueshme. Miq të mi nga Ferizaj dhe Gjilan më shkruajnë e më informojnë se po përballen me ndërprerje deri në 7-8 orë – pikërisht në kulmin e dimrit e temperatura të acarta. Ironikisht, kjo ndodh ndërsa shumë familje varen nga energjia elektrike për ngrohje, si rezultat i subvencioneve të vetë qeverisë për blerjen e pajisjeve ngrohëse. Edhe nata e Vitit të Ri, në shumë vendbanime të Kosovës ishte e zymtë dhe e errët pasi që u aplikuan reduktime.

Qeveria Kurti ka refuzuar vazhdimisht çdo alternativë që do të siguronte energji të qëndrueshme për qytetarët. Nga projekti i Contour Global për ndërtimin e një termocentrali të ri, deri te mundësia e ndërtimit të gazsjellësit amerikan – të gjitha janë hedhur poshtë pa një analizë të thelluar. Sot, Kosova përballet me paqëndrueshmëri energjetike për shkak të:

  1. Rritjes së pandalshme të konsumit
  2. Rrjetit të amortizuar të transmetimit dhe shpërndarjes
  3. Termocentraleve të vjetra të KEK-ut, të cilat kalojnë më shumë kohë në remonte sesa në prodhim
  4. Shtrenjtimit të energjisë në tregun ndërkombëtar pas luftës në Ukrainë

Ky deficit i theksuar dhe mungesa e përgjegjësisë nga qeveria rrezikon stabilitetin makro-ekonomik të vendit. Energjia elektrike është thelbësore për shumicën e bizneseve dhe mungesa e saj paralizon prodhimin dhe zhvillimin. Nevojitet një qeveri me vizion të qartë për rëndësinë strategjike të energjisë, në një kohë kur burimet energjetike janë epiqendra e konflikteve globale. Qasja e qeverisë në katër vitet e fundit ka treguar se refuzimi i zgjidhjeve dhe largimi nga aleatët strategjikë nuk janë përgjigja.

LDK ka ofruar alternativa konkrete, të cilat përkojnë me politikat perëndimore për të shfrytëzuar resurset e gazit amerikan, që tashmë po shtrihet në gjithë rajonin – përveç Kosovës. Energjia është çështje strategjike dhe nuk mund të përballohet e vetme, e aq më pak duke refuzuar ndihmën e miqve ndërkombëtarë. 9 shkurti është një ditë vendimtare – jo vetëm për të ardhmen politike, por edhe për fatin energjetik të Kosovës. Është koha për të zgjedhur me mençuri dhe largpamësi.