15:00 / E Shtunë, 15 Qershor 2019 / indeksADMonline

Bekim Fehmiu kërkoi të luajë filmin e Skënderbeut, por roli iu refuzua për arsye ideologjike

Sot janë bërë nëntë vite nga vdekja e aktorit të madh shqiptarë, Bekim Fehmiu.

Përkundër që është njëra nga figurat më të mëdha të artit në trojet shqiptare, askush nga institucionet nuk ka bërë ndonjë organizim që ta kujtojnë veprën e aktorit të madh, transmeton Indeksonline.

Në një intervistë për ‘Anadolu Agency’, publicisti dhe gazetari i njohur, Fahri Musliu foli rreth jetës dhe veprës së Fehmiut.

“Është interesante jeta e Bekimit, sepse ka lindur në Sarajevë, ku ka emigruar familja e tij pasi ka qenë e përndjekur prej pushtetit të atëhershëm jugosllav, por pastaj edhe prej Mbretit Zog të Shqipërisë, për shkak të aktiviteteve politike që i ka bërë babai i tij, Ibrahim Fehmiu, i cili ka qenë punëtor i madh i arsimit dhe një njeri me vizione të përgjithshme humane”, shprehet Musliu.

Tutje, publicisti shqiptar shpjegoi se pse Fehmiut nuk arriti që të depërtonte në ‘Hollywood’.

“Për shkak të kritikës filmike të gazetarëve amerikanë dhe për shkaqe politike Bekimi nuk ia arriti që të depërtojë në Hollywood në mënyrën si e mendonte ai, edhe pse ai e ka arritur kulmin e vet në film çfarë nuk e kanë arritur aktorët e ish-sistemeve komuniste. Bekimi është aktori i parë nga bota komuniste i cili depërton të luaj në perëndim”, tha Musliu, duke shtuar se nga kritika e mediave amerikane Fehmiu u vlerësua si aktor i cili nuk heq dorë nga “ideologjia komuniste”, thotë Musliu.

Gazetari shqiptar shpjegoi se si Fehmiu kishte kërkuar që të luante në filmin e Skënderbeut por për shkaqe ideologjike, roli i ishte refuzuar.

“Bekimi nuk ka mundur të pranojë që të luaj diku ku ka improvizime, ku nuk ka profesionalizëm, ndershmëri e përgjegjësi. Ai ka bërë një përpjekje të luaj në filmin ‘Kur pranvera vonohet’, shtatë muaj ka punuar në atë film si aktor dhe regjisor, por duke i parë lojërat që janë bërë pas perdes ai ka hequr dorë. Ai ka bërë përpjekje të luaj edhe në një film tjetër ‘Njeriu prej dheut’, por përsëri edhe ajo ka qenë një lojë ku qëllimi ka qenë përfitimi material.”

“Dëshira e tij tjetër ka qenë të luaj Skënderbeun, mirëpo qeveria shqiptare në vitet e 70-ta merr vendimit që rolin e Skënderbeut ta luaj një aktor rus, e jo shqiptar, pikërisht për shkaqe ideologjike, sepse Bekimi ka kritikuar politikën e atëhershme në Shqipëri dhe ka lavdëruar politikën e Jugosllavisë, për shkak të zhvillimit ekonomik, kulturor dhe të gjitha fushave të jetës”, thekson Musliu.

Tutje, Musliu shpjegoi se pse Fehmiu nuk është shumë i famshëm tek rinia shqiptare.

“Fatkeqësisht Bekim Fehmiu në qarqe ndërkombëtare, ato jugosllave po flas Serbi, Kroaci dhe Bosnjë, qarqet evropiane, sidomos në Itali, vlerësohet jashtëzakonisht lart si një ndër aktorët më të mëdhenj të Ballkanit. Mirëpo, në hapësirën shqiptare nuk vlerësohet dhe në një farë mënyrë injorohet, sidomos nga pushteti, qoftë ai qendror apo lokal. Rinia shqiptare kudo qoftë nuk e di se kush është Bekim Fehmiu”, thotë Musliu.

 Bekim Fehmiu është aktori i parë që luajti në Hollywood gjatë luftës së ftohët. Ai në vitet e 60-ta korri suksese të një pas njëshme duke luajtur në filma të mëdhenj si “Even Met Happy Gypsies”, “Dino De Laurentiis” dhe“The Odyssey”.

Ai po ashtu ishte nominuar për çmimin ‘Oscar’. Gjatë karrierës së tij ai ka luajtur në rreth 50 filma./Indeksonline/