75 Mall Live Search
15:49 / E Premte, 24 Mars 2023 / k.v

Bekteshi- Ferati: Këshilli Drejtues i Teatrit “Muharrem Qena” në Mitrovicë me shkelje ligjore dhe tendencioz

Regjisorja Marigona Bekteshi- Ferati ka shpërthyer me akuza të rënda në drejtim të Këshillit Drejtues të Teatrit “Muharrem Qena” në Mitrovicë. Ky këshill, sipas regjisores Bekteshi- Ferati, i formuar jashtëligjshëm, i ka refuzuar asaj tekstin e shfaqjes “Ajo” për të cilën regjisorja ka nisur punën shumë kohë më parë, pasi që kishte marrë edhe zotime se shfaqja e saj do të jetë në repertuarin e teatrit.

Sipas regjisores, këshilli drejtues po mundohet qëllimisht ta shtyjë realizimin e shfaqjes që ajo të mos prezantohet në Portugali në fund të muajit maj dhe në fillim të muajit qershor.

Regjisorja Bekteshi- Ferati në një prononcim për IndeksOnline ka deklaruar se sipas Ligjit për kulturën, tekstet e përzgjedhura paraqiten para Këshillit Drejtues nga Drejtori i Teatrit ndërsa znj.Zana Hoxha, në takimin e fundit ka nxjerr nga telefoni (çanta) një koncept (2 rreshta) të regjisorit Ilir Bokshi dhe e ka prezantuar aty, e ka hedhur në votim dhe e kanë kaluar për tu inskenuar.

Ndërkohë projekti i regjisores Bekteshi-Ferati nuk e merr dritën e gjelbër pasi thuhet se njëra nga anëtaret e këshillit drejtues, Melihate Qena nuk e ka lexuar ende dramën të cilën, Bekteshi- Ferati thotë se e kishte në duar për më shumë se një muaj.

“Unë nuk kam asgjë kundër dy regjisorëve (Fadil Hysaj dhe Ilir Bokshi), përkundrazi, mezi pres ti shoh shfaqjet e tyre, por jam kundër mënyrës se si janë përzgjedhur”, ka thënë regjisorja Bekteshi-Ferati duke i kërkuar Komunës së Mitrovicës që të reflektoi dhe të shkarkoi Këshillin Drejtues të Teatrit ‘Muharrem Qena’, të anuloi veprat e përzgjedhura dhe të riprocesohen të gjitha karshi ligjit.

IndeksOnline ka kontaktuar me UD.Drejtorin e Përgjithshëm të Teatrit “Muharrem Qena”, Sabit Sheremeti, i cili ka konfirmuar se projekti teatral i regjisores Marigona Bekteshi- Ferati është shtyrë për një muaj pasi sipas tij, njëri nga anëtarët e këshillit drejtues nuk e ka lexuar atë.

Sheremeti ka thënë se në të kaluarën pjesë e Këshillit Drejtues të Teatrit ka qenë edhe një nga aktorët rezident të teatrit ndërsa tani nuk ka. Ai thotë se Këshillin Drejtues e ka përzgjedh Komuna.

Ndërkohë IndeksOnline ka kontaktuar edhe me Drejtoreshën për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës, Valdete Idrizin e cila thotë se Këshilli Drejtues i Teatrit është formuar konform ligjit dhe jo domosdoshmërish duhet me qenë në këshill drejtues të teatrit edhe një anëtar nga ansambli i aktorëve rezident të teatrit.

“Jam shumë e lumtur që ata njerëz që sot janë në këshill drejtues kanë pranuar për të qenë aty. Janë profesionist, kanë integritet dhe natyrisht se aty ku ka garë do të këtë gjithmonë pakënaqësi. Unë nuk e di se cilat tekste kanë kaluar e cilat janë refuzuar pasi që kjo punë i takon këshillit drejtues të teatrit”, ka thënë Idrizi.

Ajo ka pranuar se Zana Hoxhën e ka mike shumë të mirë dhe thotë se është me fat që e ka në Këshillin Drejtues të teatrit si profesioniste.

Ndërkohë Bekteshi- Ferati thotë se në procesverbalin e takimit ku është vendosur për shfaqjet që do të realizohen në teatrin “Muharrem Qena” në Mitrovicë shihet se ka shkelje ligjore në përzgjedhje. Madje aty shihet se ka edhe tendencë për të eliminuar qëllimisht dikë nga gara.

Më poshtë gjeni edhe e-mailin që Regjisorja Marigona Bekteshi Ferati ua ka dërguar institucioneve kompetente në Mitrovicë:

Te nderuar,
Shpresoj te jeni mire!

Në muajin Janar 2023 për herë të dytë unë kam protokoluar kërkesën për të realizuar shfaqjen teatrale “Ajo” dhe se bashku me projektin janë dërguar edhe dy ftesa zyrtare me shumë rëndësi për Teatrin e Mitrovicës “Muharrem Qena”. 1. Hapja e Javës së Kulturës Europiane, që Teatri do të bënte hapjen zyrtare, ani pse nuk jemi në Bashkimin Europian dhe 2. Ftesa e dytë, Prezantimi në Teatrin Kombetar të Portos në Portugali.
Unë kam pasur kontakt të vazhduar me U.d Sabit Sheremeti (i cili e ka mbështetur projektin edhe në mënyrë zyrtare dhe për mua ishte si një përgjigje pozitive).
Gjithashtu kam pasur kontakt përmes telefonit dhe mesazheve me znj.Valdete Idrizi e cila me ka dhënë dritën e gjelbert edhe për ta formuar ekipin dhe çdo gjë tjetër. Dhe unë kështu kam vazhduar me dëshiren më të madhe, e kemi formuar ekipin, kemi punuar tash e tre muaj në koncept, tekst, koreografi, kompozim etj., që ne të prezantohemi sa me dinjitetshëm, madje kemi bërë edhe termine në Ambasadën e Italisë (që tashmë kemi hyrë në borxhe financiare).
Me formimin e Këshillit Drejtues të Teatrit (Në kundërshtim me ligjin për kulturë: Ligji obligon që anëtaret të jenë të fushës së kulturës dhe një nga anëtarët duhet të jetë nga ansambli i aktorëve resident të teatrit). Ne i kemi kuptuar këto shkelje dhe kemi heshtur për të ju mbështetur, madje kemi heshtur edhe kur Këshilli Drejtues i Teatrit është bërë në fshehtësi të plotë! A nuk është këshilli drejtues një lloj krenarie?! Janë shkelur shumë artist meritor të Qytetit të Mitrovicës dhe është ftuar Zana Hoxha (Nga Gjakova) për të udhëhequr/ shkatërruar/ kapur teatrin dhe për të bërë pazare me përzgjedhjen e regjisoreve (Kjo gjë dëshmohet me regjisoret qe kaluan sot, dhe shfaqja e Organizatës se saj, vie në teatër me 8 Mars 2023 duke e larguar nga repertori shfaqjen e teatrit të Mitrovicës (A nuk është ky konflikt interesi?).
Shfaqja Teatrale “AJO”, i kushtohet dhunës në familje, është shkruar nga Albana Muja (Dramaturge nga Mitrovica) e bazuar në Kërkime Shkencore dhe pas përpjekjeve 30 ditëshe të Këshillit për të shtyrë mbledhjen (sepse qëllimi është që të vonohen dhe ne të humbim prezantimin në Portugali), sot janë takuar dhe qëllimisht kanë “shtyrë/ refuzuar projektin tonë për 1 muaj për të shqyrtuar me arsyen se nuk e kishin tekstin, ndërsa tekstin e kanë tash e 1 muaj në duart e tyre (Por qëllimi këtu është që ne të mos mund të prezantohemi në Portugali nga data 27 Maj deri me 3 Qershor 2023).
Me lejoni të ju them qe unë jam e vetmja Doktor Shkence i Teatrit dhe Artit Teatral në Kosovë dhe Rajon. Tani jam në studime Post Doktorale në fushën e teatrit dhe kjo me bënë Gruan e parë në botë me Studime Post Doktorale për Teatër.
Kam aq shumë ftesa për prezantime ndërkombëtare në festivale dhe konferenca shkencore, ndërsa Këshilli Drejtues, i cili përveç qe nuk është kredibil, nuk kanë as shkollimin adekuat për teatër, as gradën master, lejohen të shkaterrojne deri në këtë pikë, një artiste e cila po e prezanton jo vetëm Mitrovicën, por edhe Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Siç e përmenda edhe me lartë: Ekipi i shfaqjes ka 3 muaj që është duke punuar në këtë projekt, kemi bërë rezervimin e termineve për viza, kemi konfirmuar pjesëmarrjen në Portugali, është rezervuar dhe hoteli, dhe kemi bërë Booking avio biletat dhe gjithë kjo punë, mund dhe sukses nuk mund të lihet në duart e Zana Hoxha e cila as nuk e njeh qytetin e Mitrovicës e aq me pak Teatrin e Mitrovicës. Andaj, kërkoj nga ju që të merrni masa urgjente dhe projekti i cili do ti sjelle teatrit tri prezantime ndërkombëtare, te fillon me prova dhe te prezantohemi me dinjitet ne arenën ndërkombëtare.
Për shkak te kohës se kufizuar dhe procedurave te vizave, ky projekt duhet te filloj me urgjencë ose të anulohet plotësisht.
PS
Ju lutem mos lejoni te “KAPET TEATRI” dhe mos lejoni te behen “PAZARE ME TEATRIN”, Teatri është i qytetarëve të Mitrovicës, i artistëve në Përgjithësi dhe i Artistëve të Mitrovicës në Veçanti! Punë të mbarë!