20:43 / E Mërkurë, 02 Tetor 2019 / indeksADMonline

Belegu prezenton planin Kosova – Shtet i Sportit dhe kritikon kandidatët tjerë

Kandidati i AAK-së për deputet dhe njëherit nën-Kryetar i partisë dhe këshilltar i Kryeministrit ka shfrytëzuar rastin t’i kritikojë kandidatët e partive të tjera që, sipas tij, nuk po i japin rëndësi fare sportit, duke treguar në faqen e tij në Facebook që njëri nga 5 zotimet e tij ka të bëjë plotësisht me sportin.

Këtë plan sot e ka prezentuar para udhëheqësisë së KOK-ut dhe Federateve sportive të Kosovës.

“E çuditshme se si te asnjë kandidat për deputet nuk e pashë që i është dhënë rëndësi e duhur sportit. E në anën tjetër, të gjithë e dimë se çfarë rëndësie për një shoqëri ka sporti në çdo aspekt – edhe në atë fizik edhe mental edhe shoqëror.

Për këtë arsye, por edhe pse në jetën time sporti gjithmonë ka pasur dhe do të ketë rëndësi të veçantë, njëri prej 5 zotimeve të mia për qeverisjen e ardhshme është edhe KOSOVA – SHTET I SPORTIT. Kjo do të jetë vazhdimësi e asaj që me Qeverinë Haradinaj e kemi bërë për sportin, si përfundimi i stadiumit Fadil Vokrri, miratimi i Ligjit për Sponzorime dhe investimi në infrastrukturë sportive, që do të rritet edhe më shumë në qeverisjen e ardhshme nën programin Kosova – shtet i sportit.

Për t’i ndarë planet tona për sportin në qeverisjen e ardhshme 100% shtet, bashkë me Kryeministrin Haradinaj, u takuam sot me Kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Kryetarët dhe Sekretarët e Përgjithshëm të Federatave të ndryshme sportive”, tha Belegu.