12:07 / E Martë, 29 Tetor 2019 / indeksADMonline

I vidhet një belgu biçikleta në Bruksel, e gjen në Fier

Një banor i Brukselit arriti ta gjente biçikletën e vjedhur falë aplikacionit “Find My Bike”. Ai kishte hequr dorë, kur papritur, aplikacioni e njoftoi mbi vendndodhjen e dyrrotakut në Fier.

Denis Hacquin, pronar i një biçiklete elektrike, e pranon se historia e tij është goxha e veçantë. “Rreth një muaj më parë, në Ixelles, biçikleta ime që ishte brenda dhe e lidhur në mur, u vodh. Dorëzova një denoncim në polici dhe ajo e klasifikoi si vjedhje”, tha Hacquin për Bruzz-in.

“Pas kësaj, s’pati asnjë progres. Kalonin ditët dhe s’merrja asnjë lajm nga policia. Kisha hequr dorë deri kur aplikacioni më njoftoi se biçikleta ndodhej në Budapest dhe pak kohë më vonë, kishte mbërritur në Fier, në Shqipëri”, vijon Hacquini. “Ia dhashë këtë informacion policisë, por atyre iu deshën dy javë për të më kontaktuar. Kështu që e postova vendndodhjen në Reddit. Aty nisi gjithçka.”

Thuajse menjëherë, Hacquinit i shkruan me dhjetëra shqiptarë që donin ta ndihmonin. Dikush e udhëzoi t’i dërgonte një email kabinetit të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë. “Dërgova emailin dhe të nesërmen, gjetën biçikletën time. U treguan shumë të shpejtë”, tha ai, shkruan Anabeli

Për momentin, Hacquini dhe përfaqësuesit e kryeministrit po përpiqen të gjejnë një mënyrë për ta kthyer biçikletën në Bruksel. Aktualisht ndodhet në komisariat. “Për hir të historisë, do të ishte bukur nëse do të shkoja ta merrja në Shqipëri, por duhet të ketë ndonjë mënyrë që kushton më pak”, ka thksuar Hacquin.