75 Mall Live Search
14:48 / E Premte, 06 Mars 2026 / P M

Ben Affleck shet startup-in e inteligjencës artificiale te Netflix

Aktori dhe regjisori i njohur Ben Affleck po zgjeron aktivitetin e tij në industrinë e filmit duke hyrë më thellë në botën e teknologjisë. Ai ka shitur startup-in e tij të inteligjencës artificiale, InterPositive, te gjiganti i transmetimit Netflix.

Marrëveshja u bë publike më 5 mars dhe konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt përdorimit më të gjerë të inteligjencës artificiale në prodhimin e filmave dhe serialeve.

Sipas Netflix, qëllimi i kësaj lëvizjeje është të mbështesë inovacionin që vjen nga vetë krijuesit, duke mbajtur artistët në qendër të procesit krijues.

Pas kësaj marrëveshjeje, Affleck do të shërbejë si këshilltar i lartë në projekt, ndërsa ekipi i InterPositive – i përbërë nga rreth 16 inxhinierë, studiues dhe krijues – do t’i bashkohet Netflix për të zhvilluar teknologji të reja që ndihmojnë në fazat e post-produksionit të projekteve filmike.

Vetë aktori ka treguar se ideja për krijimin e kompanisë lindi pasi ai vërejti ritmin e shpejtë me të cilin inteligjenca artificiale po zhvillohet në industrinë e filmit. Sipas tij, ishte e rëndësishme që këto mjete të ndërtoheshin për të mbështetur krijimtarinë njerëzore dhe jo për ta zëvendësuar atë.

Startup-i kishte zhvilluar modele të inteligjencës artificiale të fokusuara në teknika filmike si ndriçimi, montazhi dhe elementë të tjerë teknikë, duke shmangur ndërhyrjen në performancat e aktorëve.

Ky zhvillim vjen edhe pas bashkëpunimit të fundit të Affleck me mikun dhe kolegun e tij të hershëm Matt Damon në filmin aksion-thriller “The Rip”, i publikuar në Netflix, i cili prezantoi gjithashtu një model të ri shpërblimi për ekipin e produksionit.