75 Mall Live Search
15:10 / E Premte, 28 Nëntor 2025 / Z S

Ben Blushi: Pa pushtimin otoman, historia do të ishte më e ndritur – përpjekja e Ismail Qemalit, akti më kurajoz

Në urimin e tij për Ditën e Pavarësisë, shkrimtari dhe publicisti Ben Blushi sjell një reflektim të gjerë mbi pasojat historike dhe kulturore të pushtimit osman, të cilin ai e quan “sëmundja jonë më e madhe – otomanizmi”.

Blushi thekson se 28 Nëntori nuk është vetëm një përvjetor kombëtar, por edhe dita kur shqiptarët iu ndanë përfundimisht një mentaliteti që, sipas tij, la gjurmë të rënda në formimin e identitetit.

“Sot është dita jonë e Madhe e Pavarësisë që u arrit pas 500 vjet pushtimi barbar nga otomanët dhe platforma e tyre otomanizmi.”

Duke e trajtuar otomanizmin si një projekt të qëllimshëm për asimilim, Blushi e përkufizon atë si “një doktrinë fetare dhe racore për të asimiluar popujt e pushtuar”, e cila ndryshoi “dashurinë për punën, për artet, për gjuhën” dhe deformoi marrëdhënien me kohën.

Në analizën e tij historike, ai sjell një dimension emocional duke nënvizuar mungesën e kujtesës vizuale të atyre shekujve.

“Otomanizmi është një një doktrinë fetare dhe racore për të asimiluar popujt e pushtuar. Otomanizmi na hoqi dashurinë për punën, për artet, për gjuhën si dhe na krijoi një raport të shtrembër me kohën. Otomanët na bindëm se vonesa nuk është dicka e keqe.

Një punë që nuk bëhet sot mund të bëhet nesër ose mund të mos bëhet fare. Vonesa na u kthye në tipar kombëtar. Kështu u vonuam 500 vjet. Fat i madh i pasojave drithëruese të otomanizmit në Shqipëri është mungesa e fotografisë në shekujt 16, 17, 18 dhe 19.”  – shkruan Blushi.

Sipas tij, sikur të ekzistonin pamjet e varfërisë dhe mjerimit të asaj kohe, brezat e sotëm do të tronditeshin nga realiteti.

“Nëse do kishte pasur fotografi për të treguar mjerimin e shqiptarëve të asaj kohe shqiptarët e sotshëm do lebetiteshin. Atyre që mbrojnë këtë mizori do u vinte turp, megjithëse mungesa e dëshmive nuk mund të jetë justifikim për ata që mbrojnë shfarosjen e kombit të tyre.

Në atë kohë rrugët e Shqipërisë ishin të mbushura me njerëz të leckosur, të paushqyer dhe të sëmurë. Një e treta e vendit jetonte në kënetë. Nuk kishte asnjë shkollë, asnjë spital, asnjë port, tokat nuk bonifikoheshin dhe këtu nuk kalonte asnjë hekurrudhë. Shqipëria ishte një territor i izoluar nga ku merreshin vetëm bagëti dhe ushtarë dhe ku nuk cohej asgjë vec armëve për të shtypur ata që nuk bindeshin.”

Në vijim, Blushi e portretizon Shqipërinë e pushtuar si një territor të rrënuar. Një nga pikat më të forta të argumentit të tij është kritika ndaj sistemit fiskal osman, të cilin ai e quan çnjerëzor.“Mjetet që u përdorën nga otomanët ishin dhuna, uria, malarja, vrasjet dhe taksat. Por të gjitha tiparet e otomanizmit e klasifikojnë atë si një nga format më të egra të kolonializmit. Ata që nuk e dinë çfarë është otomanizmi duhet të dinë se kjo perandori barbare i taksonte njerëzit sipas përkatësisë fetare.Kush nuk ishte musliman paguante taksë. Kjo taksa mbi fenë quhej xhizve. Shtetet vendosin taksa mbi pronën, mbi tokën, mbi punën, mbi fitimin dhe mbi tregtinë.Perandoria Otomane vendosi dhe një taksë mbi shpirtin, prandaj ajo është më e pashpirt se të gjithë pushtusit që na kanë rënë mbi shpinë.”Në këtë kuptim, sipas Blushit, kolonializmi osman ishte më i egër se format e tjera të kolonializmit botëror, pasi nuk solli zhvillim, por izolim, prapambetje dhe një “lagështirë morale” që u shndërrua në kulturë të brendshme.Pa pushtimin otoman, autori thotë se historia jonë do të ishte e ndritur, e populli shqiptar do të ishte më i madh dhe plotësisht i integruar.

“Është cinike ta them, por ne patëm më pak fat se indianët e Amerikës, apo shumë popuj afrikanë që u pushtuan nga popuj më të zhvilluar se ata. Ne ramë në një lagështirë morale që na kalbi për 500 vjet. Prandaj Otomanizmi nuk ishte një pushtim por ishte një kolonializim. Kur otomanët ikën nuk lanë asgjë pas.  Shqipëria post otomane doli si vendi më i varfër, më i grabitur, më i paditur, më i sëmurë, më i vogël dhe më i uritur në Evropë.

Asnjë armik nuk na ka trajtuar më keq se otomanët gjakatarë. Ata na zhveshën nga nevoja për të punuar, për të ëndërruar dhe për të jetuar me drejtësi. Ata na ndanë nga trungu dhe na lanë të kalbemi në mocalin e tyre thithës. Pa pushtimin otoman historia jonë do ishte më e ndritur dhe sot do ishim një popull europian më i madh dhe plotësisht i integruar.” 

Në përfundim, Blushi e lidh këtë kapitull të errët me madhështinë e aktit të Pavarësisë të Ismail Qemalit.

“Prandaj përpjekja e Ismail Qemalit që duke kaluar mes baltrave të kohës arriti ta shpallë Shqipërinë të pavarur në 28 nëntor të vitit 1912 është ndoshta akti më kurajoz i historisë sonë.” 

Ai e mbyll postimin me një thirrje optimiste për shërimin e plagës së gjatë historike.

“Otomanizmi është sëmundja jonë që duhet ta shërojmë deri në fund. Jam i bindur se do t’ia dalim. Do shërohemi. Gëzuar të gjithëve.”