“Bentley” i konfiskuar në Prishtinë/ Ndalohet për 48 orë serbi që shpërndau mesazhe provokuese

Një veturë luksoze e tipit “Bentley” është konfiskuar sot në sheshin e Prishtinës nga Policia e Kosovës.
Indeksonline ka siguruar pamje kur vetura me regjistrim të Beogradit është konfiskuar pasi që pronari i saj serb ka hedhur në profilin e tij në rrjete sociale mesazhe ofenduese e provokuese.
Vetura ka qenë pjesëmarrëse në garat e djeshme të prezantimit të veturave luksoze në Prishtinë, por që shoferi i saj ka eskaluar duke i dhënë kahje provokuese prezencës së tij në këtë garë.
Në përputhje me autorizimet ligjore, Policia e Kosovës ka ushtruar kompetencën e saj dhe ka shoqëruar në stacionin policor dy të dyshuar, shtetas të huaj.
Agron Borovci, zëdhënës i Policisë Rajonale në Prishtinë ka thënë për IndeksOnline se të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin policor pasi që janë ngritur dyshimet se postimet e tyre në rrjetet sociale reflektojnë elemente të veprës penale të “Nxitjes së përçarjes dhe mos durimit” konform nenit 141 KPK-së.

Ai ka thënë se pas një hetimi preliminar të kryer nga policia, me rekomandimin e prokurorit të shtetit dhe nën dyshimin e arsyeshëm për veprën e sipër cekur, njëri i dyshuar, është dërguar në mbajtje prej 48 orësh, në procedim të mëtejmë të rastit./IndeksOnline/