Benzema dënohet me 1 vit burgim me kusht dhe 75 mijë euro gjobë

Karim Benzema është shpallur fajtor për bashkëpunim në përpjekjen për të shantazhuar ish-bashkëlojtarin e tij Mathieu Valbuena me një video seksi.
Ai është dënuar me një vit burg me kusht, të cilin do t’i duhet ta vuajë në rast të përsëritjes së veprës penale dhe 75 mijë euro gjobë.
Gjykata e Versajës vlerësoi se biseda që Benzema kishte me Valbuenën në të cilën ai u përpoq ta bindte të vinte në kontakt me shantazhuesit përbën një ndërhyrje të “qëllimshme” në mënyrë që futbollisti i atëhershëm i Lionit të paguante për të mos transmetuar videon.
Noël Le Graët, presidenti i Federatës Franceze, paralajmëroi tre javë më parë se vendimi i gjyqtarit nuk do të ndikonte në karrierën e tij sportive me Francën, kështu që Karim do të luajë Botërorin e tij të dytë në Katar./Indeksonline/