14:20 / E Premte, 16 Dhjetor 2022 / shkelqim osmanaj

Benzema i nevrikosur me Deschamps

Karim Benzema raportohet se është tejet i nevrikosur me trajnerin e Kombëtares së Francës, Didier Deschamps dhe nuk e ka në plan që të udhëtojë drejt Katarit për finalen e Kupës së Botës.

Sulmuesi i Real Madridit nuk u përfshi me Francën në asnjë ndeshje të këtij Botërori pasi që pësoi një lëndim në stërvitjen e parë të kombëtares në Doha.

Tani, siç bëhet e ditur nga “Libertad Digital”, Benzema nuk është i lumtur me mënyrën se si është trajtuar nga Deschamps, për të cilin thuhet se e ka dërguar sulmuesin në shtëpi pas lëndimit të tij, ndërsa trajneri francez e ka nevrikosur fituesin e Topit të Artë me komentet e tij në konferencën për media.

Benzemas thuhet se i janë nevojitur vetëm tre ditë trajtim në qendrën stërvitore të Real Madridit para se ai të fillonte pushimet dhe të rikuperohej nga lëndimi.

Deschamps mbylli sytë dhe buzëqeshi para se të thoshte: “Unë me të vërtetë nuk dua që t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Pyetja e radhës”, kur u pyet për rikthimin e Benzemas te Franca.

Thuhet se Benzema nuk ka qëllim që të rikthehet në finale në Katar, pavarësisht faktit që ai është pjesëtarë i regjistruar i skuadrës dhe mund të bëhet kampion botëror nëse Franca e mbron titullin e kampionit të botës, të cilin e fitoi në vitin 2018.