75 Mall Live Search
11:36 / E Diele, 01 Dhjetor 2024 / Gj. Sh

Beqireviq: Dodik dhe Vuçiq po përmbushin qëllimin strategjik të putinizmit, ndalimin e integrimeve në BE

Gjithçka që dihet për “putinizmin”, një formë autokracie që është konservatore dhe populiste dhe që lidh në mënyrë mitike Rusinë dhe Vladimir Putinin, në masë të madhe mund të shihet edhe në Serbinë e Vuçiqit, thotë Edina Beqireviq, autore e librit “Putinizmi në Ballkanin Perëndimor”, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë (REL).

Beqireviq, ligjëruese në Fakultetin e Kriminalistikës, Kriminologjisë dhe Studimeve të Sigurisë në Sarajevë dhe hulumtuese e Iniciativës Atlantike, njofton se libri i saj për presidentin rus dhe ndikimin e tij kryesisht në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi, do të botohet në dhjetor.

Ajo thotë se e ka shkruar librin kryesisht për të rinjtë, studentët, të cilëve shpesh u mungon “një këndvështrim i nuancuar për çështjet gjeopolitike dhe dinamikën komplekse që rrethon Ballkanin Perëndimor dhe konfliktet globale”.

Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe presidentin e entitetit të Republikës Sërpska në Bosnjë dhe Hercegovinë, Millorad Dodik, ajo i sheh si lojtarë kyç të “putinizmit”, të cilët së bashku përmbushin qëllimin strategjik të Rusisë, që është ndalimi i integrimeve të mëtejshme euroatlantike në rajon.