75 Mall Live Search
14:40 / E Martë, 10 Dhjetor 2024 / S Z

Berat Lahu i reagon LVV-së në Prishtinë: Të merren masa ndaj Sveçlës dhe Azemit

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Berat Lahu i ka bërë thirrje partisë që të merren masa ndaj Gëzim Sveçlës dhe Egzon Azemit, të cilët i bënë presion atij të hënën në mbledhjen e jashtëzakonshme të Asamblesë Komunale.

Lahu ka thënë se një komunikatë e Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Prishtinë, e lëshuar të hënën, përrmban shpifje dhe të pavërteta.

“Reagim ndaj komunikatës së qendrës së Prishtinës të Lëvizjes VETËVENDOSJE!


Për ngjarjen e djeshme në Kuvendin komunal, dje pasdite Qendra e VETËVENDOSJE-s! në Prishtinë ka lëshuar një komunikatë që nuk është aspak e denjë për subjektin më të madh në Prishtinë. Lëvizja Vetëvendosje, komunikatat gjithmonë i ka bazuar në fakte përderisa kjo e djeshmja përmbanë vetëm shpifje”, ka thënë ai.

Lahu ka thënë se nuk e ka implikuar kryeministrin Kurti në dallavere.

“Unë në asnjë moment nuk e kam implikuar në asgjë Kryeminstrin Kurti, por vetëm kam shprehur mllefin që shumë herë është abuzuar me emrin e tij e të kryesisë qendrore, ashtu si në rastin e turpshëm të këmbimit të pronave në Badoc”, ka shkruar Lahu të martën.

“Në komunikatën e djeshme akuzohem për kontrabandim të Buxhetit e mundësim të realizimit të interesave të Devollëve – deklarime të cilat asnjëra nuk qëndrojnë. Për votimin e Buxhetit, tashmë kryesia e qendrës dhe vet Gëzim Sveçla kanë marrë vendim që të votohet në mënyrë që të mos shkohet në zgjedhje të parakohshme, ndërsa për zgjerimin e kufirit të zonës ekonomike propozimi ka ardhur gjatë seancës, gjë të cilën në asnjë situatë nuk do ta përkrahja”, ka thënë ai.

“Qendra e Prishtinës në vend se të bëjë akuza të pabaza kundër meje do të duhej të merrej me Egzon Azemin, i cili në seancën e djeshme duke e ditur se kamerat kanë qenë të kthyera nga ne, është afruar me vetëdije dhe ka provokuar. Njësoj është dashur të merren masa edhe ndaj Gëzim Sveçlës, që në rastin e Badocit, duke spekuluar në emër të kryesisë qëndrore mundësoi kuorumin për miratimin e vendimit të shkëmbimit të pronave në Badoc.


Unë besoj në Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe në Kryeministrin Kurti, andaj edhe ju bëjë thirrje strukturave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! që t’i trajtojnë këto shpifje të pabaza dhe të merren masat përkatëse.”