Bëri tejkalim të parregullt, gjobitet me 300 euro shtetasi i huaj në Ferizaj

Policia e Njësisë së Komunikacionit Rrugor në Ferizaj ka identifikuar dhe ndëshkuar një shofer që kreu tejkalim të parregullt në fshatin Bibaj të Ferizajt.
Rasti është raportuar më 18 prill 2025, rreth orës 07:53, përmes një informate të shoqëruar me fotografi, ku shihej një veturë duke tejkaluar disa automjete nga ana e djathtë – veprim që është i ndaluar me ligj.
Policia ka bërë të ditur se bëhet fjalë për shoferin I. G., 23 vjeç, shtetas i huaj, i cili po drejtonte një veturë të tipit Opel Astra me targa vendore.
Për këtë kundërvajtje, ndaj shoferit është shqiptuar një gjobë prej 300 eurosh, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi për sigurinë në komunikacion.
Policia Rajonale e Ferizajt u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat dhe shenjat e komunikacionit, me qëllim garantimin e sigurisë për të gjithë.
“Qytetarët inkurajohen të raportojnë çdo shkelje të rregullave të trafikut përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose duke kontaktuar numrat emergjentë: 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406. Të gjitha raportimet trajtohen me konfidencialitet të plotë”, thuhet në njoftimin e policisë./IndeksOnline/