75 Mall Live Search
15:08 / E Martë, 08 Dhjetor 2020 / OSH

Bëri thirrje përmes Facebook “shkurt e shqip të vritet Qëndrim Gashi”, prokuroria i ngritë aktakuzë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër të të pandehurit F.M., i cili bëri thirrje përmes Facebook që të vritet ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi.

Gashi në profilin e tij në Twitter pati postuar një karikaturë të profetit Muhamed, si shenjë reagimi ndaj vrasjes së mësuesit në Francë, transmeton IndeksOnline.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti special, kundër të pandehurit F.M.,  për shkak të veprës penale: “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste” nga neni 134 të KPRK-së.

Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri F.M. më 19.10.2020, përmes rrjetit social Facebook, në Fushë-Kosovë, me paramendim dhe dashje ka postuar thirrje me përmbajtje kërcënuese ndaj ambasadorit të Republikës së Kosovës në Francë z. Qëndrim Gashi, me përmbajtje “shkurt e shqip duhet të vritet Qëndrim Gashi” dhe “ka si ti ende do vritet edhe ky qeni Qëndrim Gashi”, për shkak se i dëmtuari në profilin e tij në Twitter kishte postuar një karikaturë të profetit Muhamed, si shenjë reagimi ndaj vrasjes së mësuesit në Francë, ashtu që i pandehuri me këto postime ka bërë thirrje me qëllim të shtytjes për kryerjen e aktit terrorist e duke shkaktuar rrezik që një apo më shumë vepra të këtilla të kryhen.

Me këto veprime i pandehuri F.M. ka kryer veprën penale: “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste” nga neni 134 të KPRK-së.