Berisha: 20 shkurti ishte një ditë triumfi për kryengritësit paqësorë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një bashkëbisedim drejtpërdrejt në “Facebook” me qytetarë ka folur për protestën e të premtes.
Berisha 20 shkurtin e ka cilësuar si një ditë triumfi teksa protestuesit i ka cilësuar kryengritës paqësorë.
Sipas tij, policia përdori dhunë ndaj protestuesve teksa shtoi se tentuan të frikësojnë të miturit që të pohojnë se kanë marrë lekë për të dalë në protestë, raporton euronews.al.
“Dje ishte ditë triumfi për kryengritësit paqësorë të pamposhtur, të cilët u përballën dhëmb për dhëmb 3 orë me narkoshtetin në një betejë epike kundër qeverisë së paligjshme të Tiranës, kundër Edi Ramës, Lubi Ballukut, farsës së tyre elektorale, vjedhjeve të tyre të papërmbajtura.
Guximi i kryengritësve paqësorë, ishte mund të them, i jashtëzakonshëm. Tipari më kryesor i 20 shkurtit 2026 ishte se të rinjtë dhe adoleshentët, u bënë me qëndresën e tyre, guximin, trimërinë e tyre, tmerri i regjimit dhe fytyra e vërtetë e bukur e opozitës, e kryengritjes.
Për 3 orë, në bulevard, në parlament dhe në rrugët e Tiranës u zhvillua një betejë e paparë.Regjimi përdori të gjitha mjetet e dhunës, nuk kurseu as plumbat e gomës, me snajper në ballë të kandidates tonë për deputete në Shkodër, intelektuales së njohur, Mehmeti.
Por dhuna dhe terrori i policisë nuk kurseu adoleshentët, nuk kurseu të miturit. Protestuesit u qëlluan me snajper me bombolat e gazit pas koke. Të tjerë u goditën me këpucë në kokë të rrëzuar përdhe.
Por ata qëndruan të pamposhtur. U përpoqën të frikësojnë të miturit dhe të pohojnë se kanë marrë lekë për të dalë në protestë, në një kohë kur ata absolutisht po ktheheshin nga shkolla pasi kishin ngrënë së bashku diçka dhe sot janë në komisariat”, tha Berisha.

