75 Mall Live Search
15:24 / E Hënë, 15 Shtator 2025 / S Z

Berisha: “Diella” do të përdoret që të largohet përgjegjësia nga vjedhjet

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha sot se ministrja virtuale e Inteligjencës Artificiale, “Diella” do të përdoret që të largohet përgjegjësia nga vjedhjet.

Kreu i PD-së, në një deklaratë për mediet, tha se dekretimi i “Diellës” nga Presidenti përbën dhe aktin më skandaloz në historinë e një shteti, shkruan ATSH.

“Një president republike, për të dëshmuar që nuk ka Kushtetutë dhe as ligj, për të dëshmuar që është një skllav mjeran i akteve të tij të paligjshme, për të dëshmuar se është i nënshtruar totalisht, turpëroi Kushtetutën, duke dekretuar si ministri Diellën virtuale dhe duke e dekretuar atë në një dekret me kryeministrin, në një akt të pashembullt”, tha Berisha.

Berisha theksoi se “prapa Diellës nuk ka asnjë qëllim tjetër, veçse largimi i çdo përgjegjësie përmes vjedhjes dhe vjedhja përmes Diellës”.

“Nuk ka fyerje më të madhe për sovranin sesa të ketë përfaqësues diçka që nuk ekziston, e përdorur vetëm për të vjedhur paratë e qytetarëve”, u shpreh Berisha.

Për herë të parë në kabinetin qeveritar do të ketë një ministër virtual. Lajmi ka tërhequr vëmendjen e medieve botërore, që kanë vlerësuar se Shqipëria është rasti i parë në botë që emëron një ministër virtual. Në dekretin e Presidentit Bajram Begaj thuhet se Kryeministri ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale “Diella”.