Berisha: E kam një ëndërr që dua ta realizojë me fanellën e Kosovës

Kombëtarja e Kosovës do ta nis nesër kampanjën e ndeshjeve në edicionin e ri të Ligës së Kombeve.
“Dardanët:” ndeshjen e parë do ta zhvillojnë kundër Qipros në udhëtim, ndërsa në grup bëjnë pjesë edhe Irlanda e Veriut dhe Greqia, raporton KosovaPress.
Një ditë para ndeshjes, trajneri Alain Giresse dhe mesfushori Valon Berisha kanë folur në një konferencë për media.
Trajneri francez tha se do të jetë shumë e r3ëndësishme që të merret një fitore në këtë ndeshje hapëse të këtij edicioni të Ligës së Kombeve, por po ashtu edhe nevojitet një ndeshje dhe paraqitje shumë e mirë e lojtarëve.
“Patjetër se do të jetë shumë e rëndësishme patjetër që të marrim një fitore sepse ajo në fund të fundit është më e rëndësishmja, mirëpo përveç kësaj do të jetë shumë e rëndësishme që të kemi një paraqitje të mirë, që të kemi një ndeshje të mirë dhe ta nisim në mënyrën më të mirë këtë garë, përkatësisht kompeticionin e Ligës së Kombeve:, tha Giresse.
Kurse, Berisha theksoi se skuadra dhe bashkëlojtarët e tij janë përgatitur shumë mirë për këtë sfidë dhe janë të gatshëm për ta dhënë maksimumin ndaj Qipros.
“Po, normal loja e parë do të jetë një lojë shumë e rëndësishme për t’ia filluar sa më mirë grupit . Besoj që është një lojë shumë e vështirë kështu që jemi përgatitur mirë, kemi ushtruar dhe jemi mbledhur me kohë për të pasur përgatitje sa më të mirë, të ushtrojmë së bashku për të qenë 100 përqind fizikisht për një lojë shumë të rëndësishme në kualifikime”, theksoi Berisha.
Më tuje duke folur për stilin e lojës që mund ta aplikojë, Giresse tha se ka për synim që ta kenë sa më shumë posedimin e topit dhe të luajnë lojë të shpejtë.
“Sot për ta ilustruar një shembull, thjeshtë në futboll mendoj që janë dy situata, situata kur je në pronësi të topit dhe situata kur nuk je në pronësi të topit. Situata kur ekipi është në pronësi të topit atëherë është shumë e thjeshtë, duhet të luajmë sa më shpejtë, duhet ta qarkullojmë topin, kurse situata tjetër kur nuk jemi në pronësi të topit është që të mbrohemi, të provojmë sa më shpejtë ta rikuperojmë topin, ta marrim atë në pronësinë tonë dhe prapë të provojmë të ndërtojmë diçka”, shtoi më tutje trajneri i Kosovës.
Mesfushori Valon Berisha gjithashtu tha se mosha e tij nuk ia mundëson që të jetë edhe shumë vite në futboll dhe se ai ëndërron që para se ta largohet nga futbolli, Kosovën ta kualifikojë në një kampionat evropian ose botëror
“Personalisht duke ia nis prej vetvetes besoj që është momenti se nuk është se kanë mbetur edhe shumë vite në futboll kështu që e kam një ëndërr dhe besoj që shumë lojtarë të tjerë e kanë ëndërr që ta kualifikojnë Kosovën për diçka të madhe si një evropian ose një botëror kështu që do ta japim gjithmonë maksimumin”, tha Berisha.
Ndeshja mes Qipros zhvillohet të enjten me fillim nga ora 18:00.