Berisha paralajmëron socialistët: Shkoni e thojini Ramës, qëndro në zyrë në datën 24 se po të vjen populli
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama për protestën e 24 janarit. Nga foltorja e Kuvendit ai iu drejtua socialistëve që ta paralajmërojnë kreun e qeverisë për protestën e thirrur nga opozita të shtunën.
“Rama po bën gjithçka të shpëtojë, por në mënyrë absolute data 24, ju që jeni këtu shkoni e thojini, po je burrë qëndro në zyrë. I thoni rrini në zyrë dhe prite popullin që po vjen. Shkoni dhe ju me të”, u kërkoi socialistëve Berisha.
Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi Ramën për afera korruptive, duke përmendur dosjen e AKSHI-t, ku sipas tij biznesmenët pengohen të marrin pjesë në gara me urdhër politik, raporton A2CNN.
“Merr vetëm faktin, ku e ke tani Edi Ramën, ku është në këtë moment? Po bën avokatin e Lubisë në gjykatë. Merr faktin, merr vetëm dosjen e AKSHI-t, ku me urdhër të Surrelit merren peng biznesmenë që guxojnë të marrin pjesë në garë. Mos krahaso të pakrahasueshëm”, u shpreh Berisha.
Berisha u ndal edhe te marrëdhëniet rajonale, duke akuzuar Ramën se deklaron mirëkuptim me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, por jo me kryeministrin e Kosovës.
“Merr faktin që deklaron se, unë merrem vesh shumë mirë me Vuçiçin, por nuk merrem vesh dot me kryeministrin e Kosovës, për faktin e vetëm se ia nuk u bindet urdhrave të Vuçiçit”, theksoi kreu demokrat.

