75 Mall Live Search
18:29 / E Martë, 05 Janar 2021 / A. A

Berisha: Shpresoj që Kosova të befasojë të gjithë që mendojnë se nuk kemi shansa për botëror

Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Bernard Berisha sivjet ka kaluar sezonin më të mirë në karrierë prej se është transferuar në Rusi.

29 vjeçari ka shënuar 6 gola dhe 2 asistime në 18 ndeshje të zhvilluara me Akhmat Grozny.

Meqë kampionati rus është në pauzë edhe disa javë, Berisha e ka shfrytëzuar pushimin për të kaluar kohë me familjen e tij në Pejë.

“Për momentin jam ardh me i kalu pushimet bashkë me familje sepse ajo ka rëndësi të madhe për mua, prandaj kohën që e kam pushim ia kushtoj tërësisht familjes” shprehet Berisha për Indeksonline.  

Në mars të këtij viti, Kosova fillon ciklin e ndeshjeve kualifikuese për kampionatin botëror ‘Katari 2022’. Mesfushori pejan thotë se Kosova mund të jetë befasi e këndshme.

“Të jemi realistë, grupi është shumë i fortë por ne do të të mundohemi të paraqitemi sa më mirë dhe të jemi befasi për të gjithë ata që mendojnë që Kosova nuk ka shansa. Ne e dimë që kemi lojtarë shumë cilësor vetëm duhet të paraqitemi ashtu siç kemi luajtur në ndeshjet e para” thotë Berisha.

Pavarësisht interesimit të disa klubeve tjera, 29 vjeçari thotë se nuk do të largohet nga Akhmat Grozny në janar.

“Unë kom kontratë edhe dy vite e gjysmë. Pas paraqitjeve të mira që i kam pas kanë qarkulluar shumë thashethëme por unë për momentin jam i fokusuar te klubi im për shkak që raportet e mia me trajnerin dhe presidentin e Çeçenisë janë shumë të mira edhe do të jetë shumë e vështirë që unë në afatin kalimtar të janarit të largohem” përfundon Berisha.

/Indeksonline/