Berisha: Vuçiqi duke i besuar ‘mualifeve’ të Thaçit ka parë ëndrra me sy qelë
Miratimi i Platformës së Kosovës për dialog me Serbinë ka mbështetur për muri Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai ndonëse ka deklaruar se janë në pozitë të vështirë ka premtuar se do ta mbrojnë dhe do të marrin vendime në interes të Serbisë.
Me këtë deklaratë të presidentit serb, ka reaguar deputeti i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha, përcjellë Indeksonline.
Në një postim në Facebook, Berisha ka thënë se nuk është duke e kuptuar shqetësimin e Vuçiqit lidhur me platformën.
“Nuk po e kuptoj pse Vuçiqi është i shqetësuar lidhur me Platformën e miratuar dje në Kuvendin e Kosovës. Ai me gjasë paska qenë duke shikuar ëndrra me sy qel dhe duke i besuar ‘mualifeve’ të Hashimit”, ka shkruar Berisha.
Me 61 vota për dhe 1 abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar dje Platformën për dialogun mbi Marrëveshjen përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. /Indeksonline/