75 Mall Live Search
13:13 / E Premte, 20 Qershor 2025 / S Z

Berisha: Zgjedhjet në diasporë u manipuluan, do të nisim të gjitha format e protestave në Shqipëri

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për manipulimin e votës së diasporës, veçanërisht në Greqi, ku sipas tij janë shënuar parregullsi të rënda në procesin e votimit. Në një deklaratë për mediat, Berisha njoftoi se PD nuk do ta njohë rezultatin dhe do të nisë një fushatë protestash brenda dhe jashtë vendit.

“Do të nisim të gjitha format e protestave në Shqipëri dhe bote”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, procesi i votimit të diasporës është manipuluar nga qeveria në mënyrë ekstreme. “Dokumente të pakundërshtueshme faktojnë krimin e shëmtuar kushtetues elektoral të Edi Ramës, manipulimin e tij ekstrem, shtetëzimin e procesit të votimit të diasporës nëpërmjet akteve më madhore korruptive të njohura ndonjëherë”, deklaroi Berisha.Ai theksoi se ky manipulim përbën një goditje të rëndë për idealet e lirisë dhe përpjekjet e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit për të ushtruar të drejtën e votës. “Ky akt hakmarrës primitiv, poshtërues për çdo qytetar shqiptar, de facto shndërroi procesin elektoral të diasporës në një instrument të shëmtuar të narkoshtetit shqiptar, narkodiktaturës në Shqipëri, tha Berisha.

Ai u bëri thirrje shqiptarëve në Shqipëri dhe jashtë saj të përgatiten për një “luftë pa kompromis kundër këtij narkoshteti dhe të mobilizohen për të rikthyer të drejtën e votës së lirë.

“Ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë që votuan, të përgatiten për një luftë pa kompromis kundër këtij narkoshteti si një ndëshkim i merituar për krimin monstruoz që kreu ndaj atyre dhe vendit, përfundoi kreu i PD-së.