Bernardo Silva mund të largohet nga Manchester City, e duan disa klube të mëdha
Sipas raportimeve, mesfushori i Manchester Cityt, Bernardo Silva, pritet të largohet nga klubi në vitin 2026, kur i përfundon kontrata.
Megjithëse detajet për destinacionin e tij të ardhshëm nuk janë të qarta ende, besohet gjerësisht se Silva do të largohet nga Anglia.
Mes klubeve që janë përmendur si të interesuara për portugezin janë Barcelona, Benfica, si dhe disa ekipe nga Superliga e Arabisë, të cilat po ofrojnë kontrata të majme për yjet ndërkombëtarë.
Së fundmi, gjigantët italianë si Milani dhe Juventusi janë futur në garë për shërbimet e tij.
Ndërkohë që një transferim drejt Torinos shihet si i komplikuar, ai nuk përjashtohet si mundësi, pasi Juventusi mund të ofrojë një projekt ambicioz dhe një rol kyç në skuadër për mesfushorin portugez.
Burime pranë mediave italiane e përshkruajnë një transferim si një “lëvizje në stilin e Modric”, që do të përfshinte një pagë të lartë dhe premtimin e një projekti ambicioz, duke synuar të bindë Silvan të bëjë një hap të rëndësishëm në karrierën e tij jashtë Premier League.

