75 Mall Live Search
10:46 / E Enjte, 11 Dhjetor 2025 / P M

BERZH-i siguron hua prej 17 milionë eurosh për ProCredit Bankën, në Kosovë

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po rrit mbështetjen e saj për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) dhe kompanitë me kapitalizim mesatar në Kosovë me një paketë të re financimi prej 17 milionë eurosh për ProCredit Bankën në Kosovë (ProCredit).

Financimi do të nxisë investime të gjelbra dhe digjitalizimin për NVM-të e Kosovës.

“Paketa e financimit të BERZH-it do të rrisë financimin për NVM-të dhe kompanitë me kapitalizim mesatar, do të mbështesë digjitalizimin dhe do të nxisë investimet e gjelbra.

Paketa përfshin transaksionin e parë të WB GOLD në KosovëKomponenti për Kalim në Digjital mbështetet nga BE-ja me stimuj në formë të granteve dhe asistencë teknike përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF)”, thuhet në njoftimin e BERZH-it.

Kjo paketë financimi ofron zgjidhje të targetuara për bizneset lokale të Kosovës, duke përfshirë një hua prej 10 milionë eurosh në kuadër të Kornizës për Financim të Borxhit të Lidhur me Rezultate të Gjelbra për Ballkanin Perëndimor (WB GOLD) – transaksioni i parë i WB GOLD në Kosovë – dhe një hua prej 7 milionë eurosh përmes programit të BERZH-it për Kalim në Digjital në Ballkanin Perëndimor.

Huaja WB GOLD do t’u ndihmojë NVM-ve lokale dhe kompanive me kapitalizim mesatar të investojnë në teknologji me efiçiencë të energjisë dhe energji të ripërtërishme, duke mbështetur gjithashtu përpjekjet e tyre për t’i rritur bizneset e tyre. Të paktën gjysma e fondeve do të dedikohen për projekte që përputhen me qasjen e BERZH-it për Tranzicionin e Ekonomisë së Gjelbër (GET), duke e bërë më të lehtë për kompanitë e Kosovës të adoptojnë praktika më të gjelbra. Si transaksioni i parë i WB GOLD në vend, ky program inovativ sjell incentiva të bazuara në rezultate që i shpërblejnë bankat për rritjen e kreditimit të gjelbër, duke ndihmuar në nxitjen e kalimit të rajonit drejt ekonomive me karbon të ulët dhe reziliencë klimatike. Si institucioni i parë financiar partner që zbaton këtë program në Kosovë, ProCredit ka luajtur një rol kyç në përcaktimin e strukturës së kornizës së WB GOLD.

Ndërkohë, huaja për Kalim në Digjital është dizajnuar për t’u ndihmuar NVM-ve të modernizohen duke investuar në automatizim, mjete digjitale dhe teknologji të gjelbra. Të paktën 60 për qind e këtij financimi do të mbështesë projekte që i bëjnë bizneset më efiçiente dhe që përputhen me strategjinë GET. Programi gjithashtu promovon mundësi të barabarta, me fokus të veçantë në mbështetjen e ndërmarrjeve të udhëhequra nga gratë. NVM-të gjithashtu mund të përfitojnë nga grantet e Bashkimit Evropian (BE) me vlerë deri në 10 për qind të kredive të tyre individuale, si dhe asistencë teknike nga ekspertë, të gjitha të ofruara përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF).

Sergiy Maslichenko, Udhëheqësi i BERZH-it për Kosovën, tha: “Mbështetja e transformimit digjital dhe tranzicionit të gjelbër të NVM-ve të Kosovës është në qendër të misionit të BERZH-it në vend. Kjo paketë e re financimi do t’u ndihmojë bizneseve të bëhen më konkurruese, reziliente dhe të qëndrueshme duke ofruar resurset që u nevojiten për inovacion dhe rritje. Jemi të kënaqur që po e thellojmë partneritetin tonë me ProCredit Bank në Kosovë duke punuar së bashku për të avancuar rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit”.

Visar Paçarada, Kryeshefi Ekzekutiv i ProCredit, tha: “Ne jemi të përkushtuar ndaj mbështetjes për NVM-të dhe kompanitë me kapitalizim mesatar të Kosovës përmes nismave të targetuara dhe largpamëse. Programi WB GOLD u mundëson klientëve tanë të investojnë në teknologji me efiçiencë të energjisë dhe të ripërtërishme, ndërsa programi për Kalim në Digjital nxit automatizimin, transformimin digjital dhe praktikat për biznes të qëndrueshëm. Me mbështetjen e granteve të BE-së dhe asistencës teknike, ne mbetemi plotësisht të përkushtuar për t’u ndihmuar bizneseve të rriten, të rrisin konkurrueshmërinë e tyre dhe të operojnë në mënyrë të qëndrueshme”.

Hubert Perr, Udhëheqës për Bashkëpunimin në Zyrën e BE-së në Kosovë, u shpreh se: “Jemi krenarë që po i mbështesim NVM-të përmes programit për Kalim në Digjital në Kosovë. Falë mbështetjes së fortë nga Bashkimi Evropian përmes WBIF-it dhe institucioneve financiare partnere, kjo nismë do të përshpejtojë transformimin digjital të sektorit privat, do të kontribuojë në një ekonomi më të gjelbër dhe do të mbështesë konkurrueshmërinë e përgjithshme të sektorit”.

ProCredit Bank në Kosovë është ofrues kryesues i financimit për NVM-të në Kosovë dhe partner afatgjatë i BERZH-it, me arritje të dëshmuara në kanalizimin efiçient të fondeve të Bankës në segmentet e targetuara ekonomike. BERZH-i ka qenë aksionar pakicë në ProCredit mes viteve 2001 dhe 2007.

Deri më sot, BERZH-i ka investuar 840 milionë euro në Kosovë përmes 138 projekteve në mbarë vendin.