23:35 / E Shtunë, 25 Maj 2019

Besa Famgas fiton titullin dhe vazhdon dominimin në Superligë

Besa Famgas ka fituar titullin e kampionit të Kosovës në hendboll. Për skuadrën pejane të hendbollistëve është titulli i gjashtë rresht dhe kështu Besa Famgas ka vazhduar dominimin në Superligën e Kosovës. 

Besa titullin e festoi të shtunën mbrëma në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, në qytetin me traditë të hendbollit. Besa e mposhti Kastriotin vendas me rezultat 26:25, në një ndeshje tjetër shumë të fortë në mes dy skuadrave dhe poashtu shumë dramatike.

Fituesi u vendos vetëm në aksionet e fundit, ndërsa Besës do t’i mjaftonte edhe barazimi për t’u shpallur kampion. Besa të mërkurën në Pejë fitoi 16:15 dhe me dy fitore në finale të plejofit stoliset me titull të kampionit. 

Skuadra pejane është renditur e para në pjesën e rregullt të kampionatit, kurse në gjysmëfinale kaloi Vëllaznimin. Kastrioti në stinorin e rregullt ishte i dyti, kurse Prishtinën e kaloi në gjysmëfinale. Por ferizajasit kanë pasur poashtu një edicion shumë të suksesshëm. Kanë fituar Kupën e Kosovës, duke mposhtur Besën në gjysmëfinale dhe Prishtinën në finale. 
Gjatë tërë edicionit Besa e Kastrioti ishin rivalë të mëdhenjë dhe kështu kanë shtyrë para garën në Superligën e Kosovës.

Dhe si të gjithë ndeshjet e këtij edicioni mes Besës e Kastriotit edhe ndeshja vendimtare ishte e fortë, me mbrojtje të fuqishme. Në minutat e fundit Besa krijoi epërsi deri në tri gola, por vendasit u kthyen dhe barazuan rezultatin në 24:24. Por pejanët ia dolën të shënojnë edhe dy herë dhe në fund rezultati ishte 26:25 për Besën.

Tre lojtarë shënuan nga pesë gola për Besën: A. Kukrika, E. Gjuka, e D. Tahirukaj. U dallua edhe portieri H. Berisha e poashtu të gjithë ata që luajtën. D. Terziqi ishte më efikasi te Kastrioti me 8 gola. 
Ndeshja u luajt para rreth 1200 shikuesve. 

Kastrioti – Besa Famgas 25:26 (12:13)

Kastrioti: Curri, Syla 2, Zherka 2, A. Dugolli, Qerimi, Terziqi 8, Prekazi 2, Shabani 3, Ramadani 2, D. Dugolli, Rudari, Mustafa, Esati, Bassomben 3, Rajatoski 4, Bytyqi

Besa Famgas: Berisha, Mehmeti, Tahirukaj 5, Y. Muqolli, Jpa 3, Tetova, D. Tahirukaj 3, Gjuka 5, Kukrika 5, Ramosaj, Bislimi, Idrizi 1, Çuziq 1, Vokshi, J. Muqolli 2, Thaqi