75 Mall Live Search
12:30 / E Premte, 05 Dhjetor 2025 / S Z

Besim Kelmendit i refuzohet kërkesa për masën e sigurisë dhe rikthimin si u.d. i Kryeprokurori të Shtetit

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka refuzuar kërkesën e Besim Kelmendit për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë dhe për pezullimin e vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), me të cilin ai ishte shkarkuar nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Vendimi është marrë, më 4 dhjetor nga gjyqtarja Valbona Gjonbalaj, pasi gjykata konstatoi se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së përkohshme, të parapara në nenet 99 dhe 100 të Ligjit për konfliktet administrative.

Përmes përfaqësuesit të tij ligjor, avokatit Flakron Sylejmani, Besim Kelmendi kishte paraqitur padi ndaj KPK-së, duke kërkuar anulimin e vendimit të KPK-së dhe njëkohësisht kishte kërkuar: Pezullimin e zbatimit të këtij vendimi, si masë të përkohshme sigurie dhe rikthimin e tij në detyrën e u.d. i Kryeprokurorit të Shtetit, deri në vendosjen meritor dhe përfundimtare të gjykatës.

Kelmendi pretendonte se vendimi i KPK-së ishte marrë pa kuorum dhe pa respektim të procedurave ligjore, gjatë një takimi të dytë të mbajtur më 20 nëntor. Sipas tij, shkarkimi i tillë i shkaktonte dëm të rëndë, të menjëhershëm dhe të pakthyeshëm, përfshirë dëm reputacional dhe profesional dhe krijonte pasiguri institucionale në udhëheqjen e Prokurorisë së Shtetit. Ai argumentonte se pezullimi i vendimit nuk cenonte interesin publik, por përkundrazi e mbronte sundimin e ligjit.