75 Mall Live Search
19:04 / E Mërkurë, 02 Mars 2022 / LB

Biden: Është e qartë se rusët synojnë qëllimisht civilët ukrainas

Presidenti i SHBA-së Joe Biden tha sot se ai është i bindur se Rusia synon qëllimisht civilët në Ukrainë, por ai refuzoi të thotë nëse beson se janë kryer krime lufte.

“Është e qartë se ata po synojnë civilët”, tha Biden dhe kur u pyet nëse besonte se Rusia po kryente krime lufte, presidenti amerikan u përgjigj: “Ne po e ndjekim këtë me shumë kujdes, por është shumë herët për të thënë”, raporton CNN.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara po kërkojnë mënyra për të ndëshkuar Rusinë, Biden përsëriti se sanksionimi i eksporteve ruse të naftës mbetet “një nga masat e mundshme”, megjithëse zyrtarët kanë njoftuar se do të përpiqen të minimizojnë efektet e një lëvizjeje të tillë në çmimet amerikane dhe botërore të naftës.

Biden tha se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky duhet të vendosë vetë nëse dëshiron të qëndrojë në vendin e tij gjatë konfliktit me Rusinë.

Zelensky deklaroi se ai ishte i pari “objektiv rus gjatë pushtimit”, dhe familja e tij e dyta, por ai përsëriti disa herë se nuk kishte ndërmend të largohej nga Kievi.