09:05 / E Martë, 24 Tetor 2023 / L K

Biden flet me Netanyahun pas lirimit të dy pengjeve nga Hamasi

Presidenti amerikan, Joe Biden foli me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahun sot dhe ripohoi përpjekjet për të siguruar lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Gaza.

Biden “ripohoi angazhimin e tij ndaj përpjekjeve të vazhdueshme për të siguruar lirimin e të gjithë pengjeve të marra nga Hamasi përfshirë amerikanët dhe për të siguruar kalim të sigurt për qytetarët amerikanë dhe civilët e tjerë në Gaza”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë, raporton NBC News.

Dy liderët folën ditën kur Hamasi liroi dy pengje të tjera, duke e çuar numrin total të të liruarve në katër. Ushtria izraelite thotë se Hamasi ende mban peng më shumë se 200 persona të tjerë.

Biden “theksoi gjithashtu nevojën për të mbështetur një rrjedhë të vazhdueshme të ndihmës humanitare të nevojshme urgjentisht në Gaza”, dhe informoi Netanyahun për vendosjet e reja ushtarake të ShBA-së, tha Shtëpia e Bardhë.