Biden ndryshon disa politika të migracionit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, po vazhdon me zhbërjen e disa prej politikave të paraardhësit të tij, Donald Trump.
Më 2 shkurt, Bideni ndryshoi disa politika të emigracionit, duke krijuar një grup pune që do të merret me bashkimin e familjeve të migrantëve dhe duke urdhëruar rishikim të procesit të azilit në kufirin SHBA-Meksikë.
Ndarja e fëmijëve nga prindërit e tyre, që filloi në vitin 2018 si pjesë e strategjisë së Trumpit “tolerancë zero” ishte një nga politikat më të diskutueshme të administratës së tij.
Trumpi e kishte mbrojtur këtë politikë si të nevojshme me qëllimin që të dekurajonte emigracionin e paligjshëm dhe “për të mbrojtur sigurinë kombëtare”.
“Ne do të punojmë për të zhbërë turpin moral dhe kombëtar të administratës së mëparshme që fjalë për fjalë, jo në mënyrë figurative, rrëmbeu fëmijët nga krahët e familjeve të tyre”, tha Bideni, ndërsa nënshkroi urdhrin ekzekutiv në Shtëpinë e Bardhë.
Bideni u zotua gjatë fushatës së tij zgjedhore në vitin 2020 për të lëvizur shpejt për të bashkuar prindërit dhe fëmijët e ndarë në kufirin jugor.
Më shumë se 600 fëmijë mbeten të ndarë nga prindërit, sipas një regjistrimi në janar të cituar nga mediat amerikane.
Fëmijët po jetojnë me të afërmit ose në strehimore.