23:28 / E Mërkurë, 25 Tetor 2023 / S Z

Biden: Nuk ka kthim mbrapa në status quo midis izraelitëve dhe palestinezëve

Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, ka folur në një konferencë shtypi, ku tha se “nuk ka kthim në status quo-në siç ishte më 6 tetor” midis izraelitëve dhe palestinezëve.

Duke folur së bashku me kryeministrin australian Anthony Albanese, Biden tha se Izraeli duhet të bëjë “çdo gjë në fuqinë e tij për të mbrojtur civilët”.

Biden tha se ishte i alarmuar nga raportet e “kolonëve ekstremistë” që sulmonin palestinezët në Bregun Perëndimor. “Ata po sulmojnë palestinezët në vendet ku ata kanë të drejtë të jenë. Duhet të ndalet”, tha ai.

Ai tha se ShBA-ja mbështet Izraelin që të mbrohet kundër Hamasit dhe “do të sigurojë që Izraeli të ketë atë që i nevojitet për të mbrojtur veten kundër këtyre terroristëve. Kjo është një garanci”.

Biden tha se Hamasi nuk përfaqëson “shumicën dërrmuese të popullit palestinez në Rripin e Gazës apo kudo tjetër”, shkruan BBC.