08:10 / E Shtunë, 01 Tetor 2022 / Andronika

​Biden: SHBA-të nuk frikësohen nga Putini

Presidenti Joe Biden ka paralajmëruar Rusinë se Shtetet e Bashkuara nuk do të frikësohen nga kërcënimet e pamatura pasi Vladimir Putin aneksoi katër rajone të okupuara të Ukrainës. Presidenti Biden cilësoi si “fjalë dhe kërcënime të pamatura” fjalimin e homologut të tij rus, por shtoi se Putin “nuk do të na trembë”.

“Amerika dhe aleatët e saj nuk do të frikësohen,” tha Biden në Shtëpinë e Bardhë.

Më pas ai iu drejtua drejtpërdrejt presidentit rus, duke drejtuar gishtin në kamerë.

“Amerika është plotësisht e përgatitur, me aleatët tanë të NATO-s, për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të NATO-s. Zoti Putin, mos e keqkuptoni atë që po them: çdo centimetër”, tha Biden.

Menjëherë pas kësaj, zyrtari më i lartë i sigurimit kombëtar të Shteteve të Bashkuara tha se ndërsa ekzistonte mundësia që Moska të përdorte armë bërthamore, nuk dukej se kishte një kërcënim të afërt, raportoi BBC.

Presidenti rus Vladimir Putin aneksoi katër rajone të Ukrainës pasi pretendoi se qytetarët në Kherson, Zaporizhzhia, Luhansk dhe Donetsk kishin votuar për të qenë “me popullin e tyre, me atdheun e tyre”.

Ai i referohej të ashtuquajturave referendume të mbajtura në rajone ditët e fundit, por Ukraina dhe qeveritë perëndimore i kanë dënuar votat si një mashtrim.

Por pjesa më e madhe e fjalimit të Putinit u përdor për të sulmuar Perëndimin.

Ai tha se SHBA kishte krijuar një “precedent” duke përdorur armë bërthamore kundër Japonisë në fund të Luftës së Dytë Botërore, në një kërcënim të hapur. Putin javën e kaluar tha se vendi i tij kishte “armë të ndryshme shkatërrimi” dhe do të “përdorte të gjitha mjetet në dispozicion”.

Kremlini e ka bërë të qartë se çdo sulm ndaj rajoneve të reja të aneksuara do të shihej si një sulm në tokën ruse, duke sinjalizuar një përshkallëzim të luftës.

Në anën tjetër, Ukraina kërkoi që të anëtarësohet në mënyrë të përshpejtuar në NATO menjëherë pas fjalimit të Putinit.

Presidenti Volodymyr Zelensky tha se Ukraina ka qenë prej kohësh një anëtare “de facto” e bllokut të sigurisë dhe akuzoi Moskën për rivizatim të kufijve “duke përdorur vrasje, shantazh, keqtrajtim dhe gënjeshtra”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e quajti aneksimin “përshkallëzimin më serioz që nga fillimi i luftës”.

Ai tha se vendimi për të përshpejtuar anëtarësimin e Ukrainës u takonte 30 anëtarëve të bllokut.

Anëtarët e aleancës “nuk e njohin dhe nuk do të njohin” asnjë nga territoret e aneksuar si pjesë e Rusisë, u tha Stoltenberg gazetarëve. Ai e quajti aneksimin një “moment kyç” në luftë.

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen tha se “aneksimi i paligjshëm i shpallur nga Putin nuk do të ndryshojë asgjë”.

“Të gjitha territoret e pushtuara ilegalisht nga pushtuesit rusë janë tokë ukrainase dhe do të jenë gjithmonë pjesë e këtij kombi sovran”, tha ajo.

Koreja e Jugut tha se nuk i njeh aneksimet, duke shtuar se sovraniteti, siguria territoriale dhe pavarësia e Ukrainës duhet të mbrohen.