09:27 / E Shtunë, 06 Shkurt 2021 / B O

Biden: Trumpit duhet t’i ndalohen informacionet e shërbimit të inteligjencës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden nuk beson se paraardhësi i tij Donald Trump duhet të ketë qasje në informacionet e zbulimit për shkak të “sjelljes së tij të çorientuar” dhe shqetësimit se ai mund t’ua japë atë informacion të tjerëve, tha Biden në një intervistë të premten.

“Mendoj se jo”, tha Biden kur u pyet nga drejtuesja e emisionit CBS Evening News, Norah O’Donnell nëse ish-presidenti republikan Trump, duhet t’i merrte informimet e zbulimit.
Ish-presidentët amerikanë tradicionalisht kanë marrë disa informacione zbulimi edhe pasi kanë lënë detyrën.Biden tha se pikëpamja e tij se Trump nuk duhet të merrte njoftimet e zbulimit nuk ishte e lidhur me trazirat e Kapitolit.

“Për shkak të sjelljes së tij të çorientuar, pa lidhje me rebelimin”, tha Biden, duke shpjeguar arsyetimin e tij
I pyetur se cili do të ishte shqetësimi i tij më i madh nëse Trump do të merrte informacion të tillë të klasifikuar sekret, Biden nuk pranoi të hynte në hollësi.
“Do të preferoja të mos spekuloja me zë të lartë.

Thjesht mendoj se nuk ka nevojë që ai të ketë informacione të tilla. Çfarë vlere ka t’i japësh atij një përmbledhje informacioni zbulimi? Çfarë ndikimi ka ai, përveç faktit se mund t’i rrëshqasë goja dhe të thotë diçka?”, tha presidenti Biden.
Shtëpia e Bardhë kishte thënë më parë se çështja ishte nën shqyrtim.

Për muaj me radhë pas zgjedhjeve, Trump sfidoi rezultatin e tyre me ankesa në gjykata dhe duke bërë akuza të pabazuara për mashtrim të përhapur me votimet. Ai nuk mori pjesë në inaugurimin e Biden më 20 janar, ku ishin të pranishëm ish-presidentë të tjerë të Shteteve të Bashkuara, duke zgjedhur të udhëtojë në Florida, ku është vendosur pas presidencës.