Bie aktakuza ndaj ish-udhëheqësve të Ndërmarrjes Publike Banesore

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj Hajdar Hoxhës, Lendita Myderrizt, Arbnora Jashanicës, Xhevdet Lecit, Bekim Pirevës, Dren Kukajt, Genc Sherifit dhe Vesel Makollit.
Ish-bordi i drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Banesore, në krye me ish-kryeshefin, Hajdar Hoxha, akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në vendimin e sotëm të Gjykatës thuhet se është pushuar procedura penale ndaj të akuzuarve të apostrofuar, shkruan IndeksOnline.
Sipas aktvendimit të siguruar nga IndeksOnline, nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen me aktakuzë.
Tutje, në aktvendim thuhet se është revokuar urdhri ndalues përfundimtar i Gjykatës Themelore, lidhur me parcelat kadastrale, të evidentuara si pronë shoqërore në emër të NPB-së, si dhe janë kthyer sendet e sekuestruara, përfshirë telefonë celularë e laptopë.
Që në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 3 shkurt të këtij viti, të pandehurit ishin deklaruar të pafajshëm përpara trupit gjykues.
Avokati mbrojtës i Hoxhës, Besnik Berisha, kishte deklaruar se veprimet e ndërmarra nga klienti i tij, në kohën kur ishte kryeshef ekzekutiv i NPB-së, ishin marrë në përputhje me ligjin dhe se asnjëherë nuk kishte patur tejkalim kompetencash, shkruan IndeksOnline.
“Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Ndërmarrjes Publike Banesore, avokati Valdrin Behrami, në përgjigjen për kërkesat për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës, ndër të tjera ka theksuar se Prokuroria Speciale ka parashtruar aktakuzë ndaj të pandehurve të cilët evidentohen në aktin në fjalë, lidhur me keqpërdorimin e pozitës/autoritetit zyrtar, të cilët përgjatë ushtrimit të pozitave zyrtare, të cilat të njëjtit i kanë pasur me mandatet udhëheqëse në NPB”, shkruhet në Aktakuzë.
Gjykata, pas vlerësimit dhe analizimit të provave të cilat ishin të propozuara me akuzë, si dhe pretendimeve të të gjithë mbrojtjeve të të akuzuarve, ka ardhur në përfundim se provat në të cilat bazohet aktakuza janë siguruar në mënyrë të ligjshme dhe se nuk ka ndonjë provë e cila mund të jetë e papranueshme.
“Pretendimet e Prokurorit te Shtetit, si në aktakuzë, për sa i përket demit material të shkaktuar NPB-së, si pasojë e nxjerrjes së Rregullores, nuk janë të bazuara sepse:
1. Prona e paluajtshme e cila pretendohet se është pronë sipas shkresave të lëndës, nuk është tjetërsuar, nuk ka asnjë provë se kjo paluajtshmëri ka kaluar në pronësi private për më tepër, me aktin Noterial ——- shprehimisht është përcaktuar: nga pronat e shitura nuk mund të derivojnë të drejta të pronësisë mbi elementet e bashkëpronësisë që shtrihen mbi token, përkatësisht parcelën ku shtrihet projekti i ndërtimit gjithnjë duke siguruar se toka që është pronë e NPB-së, para fillimit të ndërtimit të ngelë prone e NPB-së edhe pas përfundimit të punëve”.
Sipas shkresave të lëndës rezulton se aktualisht nuk ka asnjë dëm që i është shkaktuar NPB-së dhe Komunës së Prishtinës për shkak të Rregullores për shtimin e pasurisë së paluajtshme të NPB-së. Shuma që përmendet në dispozitiv të aktakuzës është vlera e paluajtshmërisë së NPB- së në të cilën ishte planifikuar që te ndërtoheshin objektet banesore me bashke investim. Kjo paluajtshmëri nuk është tjetërsuar. Për sa dihet deri më tani, shpenzimet e vetme të krijuara në lidhje me ndërtimin e përbashkët janë ato që NPB i ka paguar në emër të taksës për leje ndërtimore, ndërsa pala tjetër nuk ka krijuar shpenzime, përkatësisht nuk ka investuar në ndërtimin e objekteve banesore sipas marrëveshjes. Shuma prej 376,346,30 € është taksa që NPB-ja i ka paguar Komunës se Prishtinës në emër të kërkesës për lejen ndërtimore. Sipas Statutit të NPB-së ——– neni 8 par.8.1 :” Komuna e Prishtinës është pronare e vetme e Ndërmarrjes Publike Banesore Sh.A në Prishtinë, me kapital publik”. Nga kjo rezulton se pagesa e taksës nga NPB është bërë te pronari i saj dhe nuk ka palë të dëmtuar”, thuhet mes të tjerash në Aktvendim./IndeksOnline/