Bie numri i aksidenteve në trafik
Gjatë periudhës Janar-Mars të këtij viti, në Kosovë kanë ndodhur gjithsej 3 410 aksidente, ndërkaq 14 prej tyre ishin fatale, ku humbën jetën 17 persona.
Kështu ka thënë për Indeksonline zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha.
Ai ka treguar se krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku kanë ndodhur gjithsej 3 811 aksidente totale, 18 prej tyre kanë qenë fatale, ku kanë humbur jetën 21 persona.
Sipas këtyre shifrave, shihet që numri i të vdekurve gjatë këtij viti të jetë ulur për 4 persona.
Ndonëse aksidentet me fatalitet janë zvogëluar, numri i aksidenteve me lëndime është rritur.
“Nga 1 200 aksidente që ishin në tremujorin e parë të 2017-ës, ku të lënduar kanë mbetur 2 409 persona, këtë vit për të njëjtën periudhë, kanë ndodhur 1 310 aksidente me lëndime dhe të lënduar kanë qenë 2 661 persona”, ka treguar Hoxha për Indeksonline.
Ligji i ri për kundërvajtje siç duket ka ndikuar edhe në rënien e numrit të gjobave të shqiptuara nga Policia e Kosovës, kjo pasi numri i tyre ka rënë për rreth 19 përqind.
“Në tremujorin e parë të 2017-ës janë shqiptuar 87 mijë e 479 tiketa, ndërsa në periudhën e njëjtë këtë vit, janë shqiptuar rreth 2 mijë tiketa më pak. Edhe aksidentet me dëme materiale kanë shënuar rënie për 19 përqind. Nga gjithsej 2 593 sa ishin në vitin e kaluar, këtë vit janë shënuar gjithsej 2 086 aksidente me dëme gjithsej”, ka përfunduar Hoxha./Indeksonline/