Bie numri i mjekëve që e braktisin Kosovën, gjatë këtij viti u larguan vetëm 69 mjekë

Numri i mjekëve të cilët janë të ineteresuar të ikin nga Kosova dhe të punojnë në vendet evropiane ka rënë nga viti në vit. Derisa viteve të kaluara numër i madh i mjekëve kërkonin mundësi punësimi jashtë vendit, të dhënat e fundit tregojnë një ulje të ndjeshme të këtij trendi.
Nënkryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës (OMK), Rrezart Halili, ka thënë për Indeksonlinen se gjatë vitit 2025 janë lëshuar vetëm 69 certifikata të kaluarës etike, dokument që u nevojitet mjekëve për të punuar në shtetet e Evropës.
Ky numër është dukshëm më i vogël krahasuar me dy vjetët paraprakë. Derisa gjatë vitit 2023 numri i mjekëve të cilët janë larguar nga Kosova ka qenë 167, një vit më vonë ky numër ka rënë në 111.
E gjatë këtij viti numri i mjekëve që u larguan ka rënë dukshëm dhe se vetëm 69 mjekë u larguan nga Kosova.
“Ne si Odë e Mjekëve të Kosovës, çdo mjeku që shpreh dëshirë të punojë në vendet e Perëndimit i lëshojmë certifikatën e kaluarës etike, e cila tregon që ata synojnë punësim jashtë vendit. Për vitin 2025 janë lëshuar vetëm 69 certifikata të tilla. Ndërsa në vitin 2024, deri në dhjetor, ishin lëshuar 111, dhe në vitin 2023 gjithsej 167 certifikata. Kjo tregon një ulje të qartë të interesimit për të ikur nga vendi”, ka thënë Halili.
Sipas Halilit ende nuk ka të dhëna të sakta mbi arsyet e këtij ndryshimi, por thotë se nga informatat e mbledhura në terren, duket se tregu gjerman i cili është destinacioni më i kërkuar nga mjekët kosovarë, është mbushur dhe se procedurat administrative për punësim janë bërë më të vështira.
“Në bazë të informatave nga mjekët e rinj është ajo që tregu gjerman atje ku synohet më së shumti, ka filluar të mbushet dhe procedurat administrative për t’u pranujar atje, kanë filluar të vështirësohen”, ka thënë Halili./Indeksonline/.