Bie numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë për trajtim jashtë vendit – shkak pandemia

Gjatë vitit të kaluar 968 pacientë me sëmundje të ndryshme kanë kërkuar ndihmë nga shteti i Kosovës që të trajtohen jashtë vendit, për shkak të pamundësisë që të shërohen këtu.
Prej tyre 497 aplikacione janë të evidentuara si raste urgjente dhe 471 si raste të rregullta.
Kështu kanë thënë në një përgjigje për IndeksOnline nga Fondi për Sigurime Shëndetësore.
“Në Fondin për Sigurime Shëndetësore, brenda vitit 2020, për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJISHP), kanë aplikuar 968 pacient, ku prej tyre
497 aplikacione janë të evidentuara si raste urgjente dhe 471 si raste të rregullta”, thanë ata.
Mirëpo, sipas tyre, kërkesa për trajtim jashtë vendit është ulur për shkak të pandemisë Covid19, ku në vitin 2019 numri i atyre që kanë përfituar përkrahje financiare nga shteti ishte 1,436 pacientë.
“Nëse krahasojmë vitin 2019 dhe 2020, kemi një ulje të numrit të aplikimeve mbi 30%”.
Ndryshe, sëmundjet malinje, leukemitë akute dhe operacionet e zemrës për fëmijë, janë vetëm disa nga sëmundjet për të cilat institucionet publike shëndetësore nuk po mund të ofrojnë trajtim brenda vendit.
“Klinikat, të cilat referojnë me së shumti pacientë janë: 1). Pediatria (sëmundjet kardiokirurgjike të fëmijëve; leukemi dhe sëmundje tjera malinje etj.); 2). Oftalmo; 3). Ortopedia; 4). Hematologjia (sëmundjet malinje të te rriturve), etj”, thuhet në përgjigjen e Fondit për Sigurime Shëndetësore.
Tutje bënë të ditur se buxheti vjetor, i ndarë nga Qeveria e Republikës së Kosovës për Programin për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shënetësore Publike (TMIJSHP) për vitin 2020 ishte 8 milion euro./IndeksOnline/