Bie numri i përfituesve nga skema e ndihmës sociale

Agjencia e Statistikave e Kosovës ka publikuar të dhënat mbi numrin e përfituesve nga skemat e ndihmes sociale. Sipas të dhënave të ASK-së në muajin gusht 2025 është shënuar rënie e numrit të përfituesve nga skema e ndihmës sociale. Sipas të dhënave të ASK-së, në gusht 2024 përfitues nga kjo skemë ishin 18,843 raste, ndërsa një vit më vonë, në gusht 2025, numri ka rënë në 16,538 raste përfitues nga skema e ndihmes sociale.
Kjo paraqet një ulje prej -12,2% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Agjencia e Statistikave e Kosovës ka publikuar të dhënat dhe mbi numrin e përfituesve nga skemat pensionale dhe skemat e tjera të mirëqenies sociale për muajin gusht 2025, duke i krahasuar ato me gushtin e vitit paraprak.
Në raport me gushtin 2024, është vërejtur ulje e numrit të përfituesve nga disa skema sociale e pensionale. Më e theksuara është te skema për pensionet invalidore të punës (-22,0%). Skema e pensioneve të “Trepçës” (-19,8%), skema e ndihmës sociale (-13,1%), skema e pensioneve familjare (-9,1%), skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës (-2,2%), skema e pensioneve kontribut-paguese të moshës (-1,5%), skema e kompensimeve për personat e verbër (-0,1%).
Megjithatë, disa kategori kanë shënuar rritje të përfituesve gjatë periudhës së njëjtë.
Sipas ASK-së, rritje kanë pasur te pensionet e paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve (+11,7%), skema për përkrahje financiare familjeve me fëmijë me aftësi të kufizuara (+11,6%), pensionet bazike të moshës (+5,8%), pensionet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) (+6,4%).Skema e kompensimit për punëtorët e arsimit për vitet 1990/91 deri 1998/99 (+5,0%), pensionet për personat me aftësi të kufizuara (+3,7%), pensionet e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) (+2,0%), veteranët e luftës (+0,5%).