10:18 / E Hënë, 11 Prill 2022 / MSH

Bie numri i refugjatëve ukrainas në Poloni

Polonia ka qenë një nga shtetet e para drejt të cilit janë nisur ukrainasit, me të filluar invazioni rus.

Sipas të dhënave, që nga fillimi i luftës, rreth 2 milionë e 657 mijë ukrainas kanë kaluar kufirin me Poloninë.

Megjithatë, sipas Rojës Kufitare Polake, është reduktuar numri i ukrainasve që hyjnë në territorin polak.

Në anën tjetër, numri i civilëve që po kthehen në Ukrainë është rritur.

Vetëm gjatë ditës së djeshme, 28 mijë e 500 qytetarë kaluan në Poloni. Kjo është një shifër e ulët, krahasuar me datën 6 mars, kur mbi 142 mijë ukrainas shkelën tokën polake, brenda 24 orëve.

Sipas Maciej Duszczyk, hulumtues universitar mbi migracionin, në Poloni kanë mbetur diku rreth 1.2 milionë ukrainas.

Shumica e tyre janë kthyer në vendlindje, ndërsa ka edhe të tillë që janë shpërndarë nëpër vende të ndryshme të Evrpoës.