Bie platforma e videokonferencave Zoom

Gjiganti i video konferencave Zoom përjetoi ndërprerje madhore ku përdorues të shumtë në SHBA, Britani dhe disa pjesë të Evropës raportuan probleme me videothirrjet.
Aktualisht Zoom Meetings është pjesërisht i papërdorshëm sipas faqes së statusit të shërbimit të Zoomit.
Rënia e një shërbimi të tillë nuk është aspak lajm i mirë, sidomos në një kohë kur videokonferencat janë bërë pjesë integrale e jetës në pandemi.
Në rrjetin social Twitter dhjetëra përdorues janë ankuar, sepse nuk kishin mundur të organizonin takimet apo leksionet e parashikuara.
Sipas Zoomit, ende nuk dihet shkaku i ndërprerjes, ndërsa kompania vijon të hetojë gjendjen.
Aktualisht platforma ka mëse 300 milionë përdorues aktivë në ditë. Megjithatë jo të gjithë janë prekur nga kjo ndërprerje sepse një pjesë e përdoruesve thanë se video thirrjet në Zoom po funksiononin normalisht.