Bie qeveria holandeze, shkak azili dhe imigracioni

Qeveria holandeze është rrëzuar sot pas përplasjeve brenda koalicionit qeverisës lidhur me çështjet e imigracionit, që çuan në largimin e partisë së ekstremit të djathtë, Partisë për Liri (PVV), të udhëhequr nga Geert Uilders.
Në një postim në platformën X, Uilders tha se partia e tij do të largohej nga koalicioni për shkak të mungesës së mbështetjes për propozimet e saj në lidhje me politikën e azilit. Edhe pse PVV-ja doli fituese në zgjedhjet parlamentare të vitit 2023, duke e zhvendosur nga vendi i parë partinë e ish-kryeministrit Mark Rutte, katër partitë kryesore të Holandës zgjodhën Dick Schoofin, ish-drejtor i shërbimit të inteligjencës, si kryeministër.
Prej disa ditësh Uilders kishte paralajmëruar se partia e tij do të tërhiqej nëse propozimet e tyre për kufizimin e imigracionit nuk përfshiheshin në marrëveshjen qeveritare. Këto propozime ishin të përfshira në një plan dhjetë pikësh që përfshin ndalimin e përkohshëm të azilit dhe të ribashkimit familjar për refugjatët me status të njohur.
Mospajtimet e thella mbi këtë plan çuan në prishjen e marrëveshjes së koalicionit dhe rënien e qeverisë.